Superkupa mbetet në Arabinë Saudite, konfirmohet formati për vitin tjetër

- Bota Sot

Superkupa mbetet në Arabinë Saudite, konfirmohet formati për vitin tjetër

Superkupa e Italisë do të zhvillohet sërish në Arabinë Saudite, duke konfirmuar aleancën e fortë mes Serisë A dhe organizatorëve sauditë të kompanisë “Sela”. Vendimi u bë i ditur gjatë një mbledhjeje të mbajtur përmes njw videokonference nga Liga e Serisë A, ku administratori i saj i përgjithshëm, Luixhi de Siervo, njoftoi se janë marrë konfirmimet zyrtare për interesin e Arabisë Saudite për të pritur edicionin e ardhshëm të Superkupës, me formatin tashmë të ri me katër skuadra.

Tashmë është konfirmuar pjesëmarrja e Milanit dhe Bolonjës si finaliste të Kupës së Italisë, ndërsa Napoli dhe Interi pritet të jenë dy ekipet e tjera pjesëmarrëse, duke qenë në garë të drejtpërdrejtë për titullin kampion të këtij sezoni.

Kjo është pjesë e një marrëveshjeje të rëndësishme të firmosur në mars të vitit 2023, e cila parashikon që katër nga gjashtë edicionet e Superkupës italiane të zhvillohen në tokën saudite.

Vlera totale e këtij partneriteti arrin në 92 milionë euro, nga të cilat çdo vit Arabia Saudite paguan 23 milionë euro për të organizuar eventin. Sipas detajeve të marrëveshjes, 6.8 milionë euro i përfiton direkt Liga e Serisë A, ndërsa 16.2 milionët e mbetura ndahen mes katër ekipeve pjesëmarrëse.

8 milionë për fituesin, 5 për finalistin dhe 1.6 për secilën nga skuadrat gjysmëfinaliste të eliminuara. Arabia Saudite vijon kështu ofensivën e saj të fuqishme për të pozicionuar veten si një qendër të rëndësishme të sportit botëror, ndërsa për Serinë A, kjo është një mundësi e artë për promovim ndërkombëtar dhe përfitime të mëdha financiare.



Read it all at Bota Sot