Qytetarët rumunë po i drejtohen sot kutive të votimit në një raund të përsëritur zgjedhjesh presidenciale, që pritet të sjellë në qendër të skenës politike një figurë të debatueshme nga e djathta ekstreme – George Simion.
Kandidati 38-vjeçar kryeson sondazhet me një mesazh kundër ndihmës ushtarake për Ukrainën, retorikë nacionaliste dhe kritika të forta ndaj Bashkimit Evropian.
Zgjedhjet po zhvillohen gati gjashtë muaj pas anulimit të raundit të parë, mes akuzave për ndërhyrje të gjerë ruse në procesin elektoral.
Një hetim i autoriteteve rumune zbuloi prova për një fushatë të organizuar ndikimi, sulme kibernetike dhe manipulime në rrjetet sociale në mbështetje të kandidatit të mëparshëm, Călin Georgescu. Ai u përjashtua nga gara pas akuzave për raportim të rremë të financave të fushatës dhe lidhje me grupe fashiste.
Simion, lideri i Aleancës për Bashkimin e Rumunëve (AUR), ka përfituar nga zemërimi publik për anulimin e zgjedhjeve dhe ndalimin e Georgescu-t.
Megjithëse është pozicionuar si më “i moderuar”, Simion ndjek një vijë të fortë sovraniste, ka kritikuar Brukselin, kërkon rikthimin e territoreve historike dhe e konsideron veten një “aleat të natyrshëm” të ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Ai ka fituar popullaritet të madh në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, ku numëron mbi 1.3 milion ndjekës, duke përdorur një stil komunikimi emocional dhe drejtpërdrejt për të promovuar mesazhin e tij nacionalist.
Pavarësisht kësaj mbështetjeje të gjerë, sondazhet tregojnë se ai ka gjasa të përballet me një nga rivalët e tij të qendrës – Nicușor Dan ose Crin Antonescu – në një raund të dytë balotazhi më 18 maj, pasi është e pamundur të fitojë mbi 50% të votave që në raundin e parë.
Presidenti i Rumanisë ka kompetenca të rëndësishme në politikën e jashtme, sigurinë kombëtare dhe përfaqësimin ndërkombëtar të vendit, çka e bën këtë votim vendimtar për drejtimin e ardhshëm të vendit në raport me Perëndimin dhe NATO-n.
Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe do të mbyllen në 21:00 sipas orës lokale. Sondazhet e para pritet të publikohen menjëherë pas mbylljes, ndërsa rezultatet përfundimtare mund të vonohen, për shkak të votave të shumta nga jashtë vendit.