Vetëm disa ditë para gjysmëfinales vendimtare të Ligës së Kampionëve ndaj Interit, Barcelona riktheu Marc-André ter Stegen dhe përmbysi rezultatin për të mposhtur Real Valladolid 2-1.
Gjithçka vendoset të martën në përballjen në “San Siro”, pasi ndeshja e parë përfundoi me një spektakël 3-3.
Ndërkohë që Interi ndryshoi 10 nga 11 titullarët në përballjen ndaj Veronës sonte në Serie A, Barcelona nuk kishte luksin të pushonte lojtarë, pasi La Liga mbetet ende e hapur.
Megjithatë, u bënë disa ndryshime, përfshirë rikthimin e portierit Ter Stegen për herë të parë që nga ndërhyrja në gju më 22 shtator 2024.
Mbetet për t’u parë nëse ai apo Wojciech Szczesny do të jetë titullar ndaj Interit të martën.
Në stol fillimisht ishin Ferran Torres, Dani Olmo, Raphinha, Pau Cubarsí, Frenkie de Jong dhe Lamine Yamal.
Barcelona pësoi gol që në minutën e gjashtë nga skuadra e fundit në renditje, Real Valladolid.
Për Interin kjo është një shenjë inkurajuese, pasi goli i Ivan Sanchez pas një goditjeje këndi konfirmoi se katalanasit kanë probleme serioze në mbrojtjen e situatave fikse.
Lamine Yamal nuk pati shumë kohë për të pushuar, pasi u fut në fushë në minutën e 35-të pas dëmtimit të debutuesit Dani Rodriguez, i cili duket se shkaktoi një zhvendosje të shpatullës.
Raphinha dhe De Jong u aktivizuan në pjesën e dytë dhe ndikimi i tyre u ndje menjëherë, pasi Raphinha barazoi rezultatin me një goditje diagonale.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, Fermin Lopez përmbysi gjithçka me një goditje të fortë me të majtën.
Gavi u largua në minutën e 77-të, duke dhënë shenja lodhjeje, ndërsa Ter Stegen tregoi se është në formë me një pritje të shkëlqyer ndaj Juanmi Latasa. /GazetaExpress/
Rezultati: Real Valladolid 1-2 Barcelona
Golashënues: Ivan Sanchez 6′ (RV), Raphinha 54′ (B), Fermin Lopez 60′ (B)
Formacioni i Barcelonës:
Ter Stegen; Fort, Araujo, Christensen, Martin; Pedri (De Jong 46′), Gavi (Eric Garcia 79′); D. Rodriguez (Lamine Yamal 38′), Fermin Lopez, Ansu Fati (Raphinha 46′); Pau Victor (Dani Olmo 62′)