Në një sezon të shënuar nga paqëndrueshmëria dhe problemet e vazhdueshme fizike, Juventusi gjendet përballë një momenti kritik, përplasja direkte me Bolonjën, një duel që ndien erën e një finaleje për kualifikimin në Champions.
Trajneri Igor Tudor, i vendosur në një situatë të vështirë për shkak të mungesave të shumta, po përpiqet të gjejë balancën mes emergjencës mjekësore dhe nevojës për rezultat. Dëmtimet janë bërë një “armik i brendshëm” për skuadrën bardhezi, e cila, në një nga momentet më vendimtare të sezonit, ka vetëm një pjesë të kufizuar të lojtarëve në dispozicion.
Lajmi i mirë është rikthimi i Vlahoviç në stërvitje me grupin, një prani jetike në repartin ofensiv, sidomos në mungesë të Jildizit, i pezulluar për dy ndeshjet kyçe ndaj Bolonjës dhe Lacios pas kartonit të kuq kundër Monzës.
MBROJTJA– Gjendja në mbrojtje është alarmante, vetëm dy qendërmbrojtës në dispozicion, Veiga dhe Kalulu, ndërsa Bremer, Kabal dhe Keli janë jashtë. Gati ende nuk ka kaluar fazën e rikuperimit pas operacionit. Në këtë situatë, Tudor mund të improvizojë duke tërhequr Lokatelin në mbrojtje ose duke vendosur Kambiazon në krahun e majtë të prapavijës. Kjo skemë alternative ka si qëllim të frenojë presionin agresiv të Bolonjës, e njohur për lojën me presing një për një.
MESFUSHA- Problemi, megjithatë, shtrihet edhe në mesfushë. Me mundësinë që Kambiazo ose Lokateli të zhvendosen në mbrojtje, zona qendrore do të mbetet e zbrazët. Tudor mund të riorganizojë mesfushën me Mekenin në qendër ose në krah, duke u mbështetur tek Ueah dhe Savona për të balancuar anët.
E vetmja siguri në këtë kaos duket të jetë Turam, një nga pikat e pakta të qëndrueshme në formacion. Dhe si të mos mjaftonin dëmtimet, një tjetër kërcënim për Juventusin janë kartonët, katër lojtarë, Kambiazo, Turam, Ueah dhe Savona, janë në prag pezullimi, dhe një karton i verdhë në Bolonja do të thotë mungesë për ndeshjen me Lacion në “Olimpico”.
Në këtë betejë për një vend në kompeticionin më prestigjioz europian, çdo lëvizje e gabuar mund të kushtojë shtrenjtë. Për Tudorin, sfida nuk është vetëm taktike, por edhe psikologjike. Të mbajë të gjallë shpirtin luftarak të një skuadre të gjymtuar nga mungesat, por ende në garë për të shpëtuar një sezon që rrezikon të përfundojë në harresë.