Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka dhënë një intervistë për SportMediaset, ku ka folur me tone të ashpra mbi gjendjen e infrastrukturës futbollistike në Itali, duke e krahasuar atë me vendet e tjera të mëdha evropiane.
“Infrastruktura e futbollit në Itali është një turp,” deklaroi Ceferin pa doreza. “Italia është një ndër vendet më të mëdha në historinë e futbollit, ka fituar Kupa Bote, Europiane dhe Liga Kampionesh. Por, krahasuar me vendet e tjera të mëdha të futbollit, stadiumet tuaja janë shumë më keq.”
Presidenti i UEFA-s shtoi se është lodhur nga debatet e pafundme që nuk prodhojnë asgjë konkrete: “Të jem i sinqertë, jam pak i lodhur nga këto diskutime të pafundme për stadiumet në Itali, sepse gjithmonë mbeten vetëm fjalë.
Shpresoj që Italia të bëjë diçka konkrete. Klubeve u duhet ndihma e qeverisë dhe institucioneve. Privatët duhet të investojnë.”
Ceferin përfundoi me një thirrje të qartë: “Është koha të veprohet. Stadiumet janë në gjendje të tmerrshme.” .