Pas humbjes 1-0 në Londër javën e kaluar ndaj PSG, Arsenal sot (21.00) luan në Paris me disavantazhin e një goli dhe nevojën për të përmbysur rezultatin për të siguruar një vend në finalen e madhe në Munich.
Rice, i cili qe shndërrua në hero gjatë çerekfinales me dy gola të jashtëzakonshëm nga goditja e lirë kundër Real Madrid, ka thënë se beson që një tjetër performancë e tillë është e nevojshme.
“Trajneri gjithmonë flet për ‘momentet magjike’. Shpresoj të jem unë sërish ai që e sjell, por dikush nga ne duhet të bëjë diçka të veçantë për ta fituar këtë ndeshje”, ka deklaruar Rice në konferencën për shtyp.
“Jemi optimistë dhe plot besim se mund të bëjmë diçka të madhe në Paris”.
Në prag të përballjes, Arsenal merr një shtysë pozitive me rikthimin e mbrojtësit Riccardo Calafiori dhe mesfushorit Thomas Partey, i cili mungoi në ndeshjen e parë për shkak të pezullimit.
Rice e ka vlerësuar lart kontributin e bashkëlojtarit të tij nga Gana. “Thomas sjell një qetësi të jashtëzakonshme. Luaj me më shumë siguri përkrah tij. Nuk merr gjithmonë vlerësimin që meriton, por ai është thelbësor për ne”, ka thënë ai.