Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, në prag të gjysmëfinales së kthimit ndaj Athletic Club në Europa League, u shpreh se ky turne është i vetmi që ka rëndësi për të, skuadrën dhe klubin në këto momente.
“Djajtë e kuq” fituan 3-0 në Spanjë në ndeshjen e parë dhe do të luajnë në “Old Trafford” sfidën e kthimit. Një ndeshje që vjen pas humbjes 3-2 ndaj Brentford fundjavën e kaluar në kampionat.
“Nuk kam dyshime se po luajmë më mirë dhe po e kuptojmë mënyrën se si luajmë. Por duhet të pranojmë të gjitha goditjet në këtë moment. Po humbasim ndeshje në Premier League, por po luftojmë për Europa League”, tha Amorim.
“Duhet ta pranojmë këtë fakt dhe të mendojmë për të enjten, e cila është ndeshja më e rëndësishme për ne“, deklaroi trajneri portugez.
“Ne, si klub, duhet ta kuptojmë në këtë moment se kemi një përgjegjësi të madhe për të fituar Europa League. Sigurisht që duam të jemi konkurrues kudo, pasi kemi luftuar shumë dhe duam t’i shkojmë deri në fund”, tha Amorim.