“Vula” e pashlyeshme e Inzaghit në historinë e Interit

- Bota Sot

“Vula” e pashlyeshme e Inzaghit në historinë e Interit

Dimarco e tërheq drejt tribunës dhe ai e lejon veten të festojë duke kërcyer me tifozët. Më pas shpërthen në një festim çlirimtar pas 120 minutash tensioni të pastër, “ferri” dhe “parajse”. Simone Inzaghi iu përgjigjet duartrokitjeve të publikut të “San Siros”, por menjëherë tregon me dorë drejt lojtarëve.

Sepse tekniku zikaltër, që ka udhëhequr skuadrën drejt finales së dytë të Champions League në tri vitet e fundit, po rishkruan historinë e klubit. Vetëm Helenio Herrera (3) ka arritur më shumë finale në Champions/Kupën e Kampionëve.

Që nga ardhja e tij në sezonin 2021-2022, Interi është një nga dy skuadrat, bashkë me Real Madridin, që kanë arritur më shumë herë në finale të Champions League (2 herë në 4 sezone). Sidoqoftë, Inzaghi dëshiron që meritat t’ua kalojë lojtarëve të tij.

“Jam krenar që jam trajneri i tyre, më kanë dhënë gjithçka që kishin, – tha Inzaghi pas ndeshjes dramatike ndaj Barcelonës. – Kur thashë se nga vendi i 24-t në renditje kemi arritur në pozitat e para, nuk ishte për të marrë meritat për vete, por për të theksuar meritat e këtyre lojtarëve”.

Ai mendon për të gjithë, gjithmonë, titullarë dhe zëvendësues. Inzaghi iu jep të gjithëve të njëjtin peshë: “Mendoj për De Vrij, hyri dhe largoi çdo top. Do të luante në çdo ekip në Europë, stërvitet gjithmonë në maksimum. Luajti vetëm 13 minuta në gjysmëfinalen e kthimit ndaj Barcelonës, por ishte vendimtar”.

“Trajneri është shefi ynë, ai na tregon rrugën dhe gjithmonë e bën mirë, – vlerësoi Dimarco. – Edhe në momentet e vështira di si ta thyejë tensionin me ndonjë shaka. Kjo është forca e tij e madhe”.

Inzaghi e çoi Interin në finale, duke eliminuar më të fortët: fillimisht Bayern Munich në çerekfinale dhe më pas Barcelonën në gjysmëfinale. Vetëm një humbje në 14 ndeshje, ajo ndaj Bayer Leverkusen. “Shumë nuk na kishin parashikuar këtu…”, – tha Inzaghi pas 4-3 epik ndaj katalanasve, duke “hequr disa guralecë nga këpucët”. Tani sheh përpara, për pak më shumë se 20 ditë e pret një takim i madh me historinë.



Read it all at Bota Sot