Rama: Barça Kamp derë e hapur për talentët e futbollit në Kosovë

- Bota Sot

Rama: Barça Kamp derë e hapur për talentët e futbollit në Kosovë

“Barça Academy Camp Kosova” rikthehet edhe këtë vit si një ndër iniciativat më të veçanta për zhvillimin sportiv dhe personal të fëmijëve në Kosovë dhe rajon. Kampi, i cili do të mbahet në fund të muajit maj, sjell trajnerë zyrtarë të FC Barcelonës për të ndarë me pjesëmarrësit filozofinë dhe metodologjinë e njërës prej akademive më të njohura të futbollit në botë, raporton KosovaPress.

Me qasje gjithëpërfshirëse që shkon përtej fushës së lojës, kampi synon të zhvillojë jo vetëm aftësitë teknike të futbollit, por edhe karakterin, vetëbesimin dhe kompetencat sociale të fëmijëve në një kohë kur sfidat e epokës dixhitale po ndikojnë gjithnjë e më shumë në mënyrën e të jetuarit dhe të mësuarit.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, theksoi në konferencë për media se ky kam është një derë e hapur drejtë mundësive të reja për të rinjtë dhe talentët e Kosovës.

Rama: Të stërvitesh nga trajnerët e Barcelonës është mundësi e rrallë

“Barça Academy Camp Kosova është një derë e hapur drejtë mundësive të reja për të rinjtë tanë. Vitin e kaluar e dini që kanë marrë pjesë më shumë se 300 nga Kosova, por jo vetëm, kemi pasur edhe mysafir nga Maqedonia, nga Mali i Zi, nga Shqipëria të cilët iu kanë bashkuar fëmijëve tanë në këtë kamp...Metodologjia e Barcelonës është e mirënjohur në mbarë botën për qasjen e saj gjithëpërfshirëse, pra zhvillon jo vetëm aftësitë sportive por edhe karakterin, vetëbesimin por edhe aftësitë sociale të fëmijëve që janë më rëndësi shumë të madhe për secili të ri sot, sidomos në këtë kohë të dixhitalizimit kur shumë fëmijë kalojnë kohën në Ipad, në Iphone, kjo ëhstë një mundësi e mrekullueshme për fëmijët tanë”, theksoi Rama.

Kurse, përfaqësuesja zyrtare e këtij kampi, Armenda Filipaj shpalosi detaje mbi rrjedhën që do ta ketë ky kamp. Ajo bëri të ditur se lojtari më i mirë i kampit do të ftohet nga Barcelona për vazhdim të stërvitjeve.

Filipaj: Lojtari më i mirë i kampit do të ftohet nga Barcelona

“Hapja zyrtare e kampit do të bëhet më 26 maj ku të gjithë fëmijët ë regjistruar do të marrin fanellat, oraret si dhe përcsktohen grupet. Pastaj më datën 27 maj fillon kampi, i kemi dy orare të stërvitjeve duke qenë se në atë kohë fëmijët do të jenë ende në mësim jemi kujdesur që ta kemi një ndërrim të paradites nga ora 8:30 deri në orën 11;30 dhe grupi tjetër nga ora 16:00 deri në orën 19:00. Pra do të mundohemi që fëmijët të vazhdojnë ta kenë shkollën prioritet por gjithsesi mos ta humbin mundësinë ta ndjekin kampin. Në fund të kampit do të zgjedhet lojtari më i mirë, njësoj sikur edhe vitin e kaluar edhe ai do të ftohet nga Barcelona”, ka bërë të ditur Filipaj.

“Barça Academy Camp Kosova” nuk është vetëm një kamp stërvitor, por një investim në të ardhmen e fëmijëve duke u ofruar atyre përvojë profesionale, zhvillim personal dhe një mundësi reale për të hapur dyert drejt ëndrrave të mëdha.



Read it all at Bota Sot