Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas një hetimi disa mujor duke zbatuar masat e veçanta hetimore, kanë arrestuar grupin e dytë prej katër personave, lidhur me aksionin ku është zbuluar laboratori i drogës më 23 prill 2025, raporton KosovaPress.
Sipas njoftimit, të pandehurit e arrestuar, “nga data e pa vërtetuar dhe në vazhdimësi deri më datë 23 prill të këtij viti, në Prizren, pa autorizim dhe në bashkëkryerje, kultivojnë bimën “Kanabis Sativa”, me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope, në atë mënyrë që në një objekt të mbyllur krijojnë një laborator të brendshëm “In door”, të sofistikuar”.
“... ku kultivojnë dhe rrisin 175 bimë të llojit “Kanabis Sativa”, të cilave u bëjnë tharjen dhe i përgatisin për shitje në treg. Me këto veprime në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, po ashtu njëri nga të pandehurit, pa autorizim dhe në bashkëpunim, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, kultivojnë bimën “Kanabis Sativa” me qëllim të ofrimit për shitje, e cila me ligj është shpallur si narkotikë, në atë mënyrë që i pandehuri pasi siguron narkotikun nga kultivimi që i bënë vet bimës, planifikon shitjen e narkotikëve personave të ndryshëm.
“Me këto veprime në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 të KPRK- së”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se gjatë kryerjes së kontrollit në veturën dhe shtëpinë e tij në fshatin Miradi e Poshtme në Fushë Kosovë, më datë 07.05.2025 janë gjetur dhe sekuestruar: Katërmbëdhjetë paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në peshë prej 11.2 gram, një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit Mariuhanë në peshë prej 1.2 gram të gjetura në automjetin VË Golf 7; dy peshore digjitale, gjashtë paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në peshë prej 433.6 gram, gjashtëmbëdhjetë paketime të vogla me substancë e dyshuar narkotike të llojit kokainë në peshë prej 14.9 gram, një qese najloni me katër folie transparente, një (1) paketim me substancë narkotike të llojit kokainë në peshë prej 0.5 gram, para në shumë prej 1020€ dhe 30 franga zvicerane, telefona dhe vetura.
“Po ashtu, njëri nga të arrestuarit, duke qenë në dijeni të plotë për veprimtarinë e kundërligjshme të kultivimit të narkotikëve, i ofron objektet banesore të pandehurit tjetër, dhe për mbulim lidh kontratën për shfrytëzimin e paluajtshmërisë. Përderisa banesën tjetër fqinje, ia ofron të pandehurve për strehim, kamuflim dhe kujdes për bimët narkotike të krijuara në laboratorin e brendshëm “In door”. Gjithashtu, në bashkëpunim për çdo lëvizje të dyshimtë për zbulim nga policia, i mbajnë të informuar të pandehurit tjerë brenda laboratorit. Me këto veprime në bashkëkryerje kishin për të kryer në ndihmë veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Sipas prokurorisë, për katër të pandehurit e arrestuar, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
Po ashtu bëhet e ditur se Kryeprokurori Petrit Kryeziu, ka lëshuar edhe urdhër të përkohshëm ndalues për sekuestrimin e dy objekteve banesore në sipërfaqe prej 214 m2, dhe brenda afatit ligjor do të parashtrohet edhe kërkesë në gjykatë për Urdhër Ndalues Përfundimtar për banesat në fjalë.
Dy javw mw parw, Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë Gjakovë, pas një hetimi disa mujor, kanë zhvilluar një aksion në Prizren, ku është zbuluar një laborator droge dhe janë arrestuar tre persona të dyshuar.
Të pandehurit, nga data e pavërtetuar dhe në vazhdimësi deri më datë 23.04.2025, në Prizren, pa autorizim dhe në bashkëkryerje, kultivojnë bimën kanabis sativa (marihuanë), me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope.
Ata në një objekt të mbyllur krijojnë një laborator të brendshëm, ku kanë kultivuar dhe kanë rritur rreth 200 bimë kanabis sativa, kanë bërë tharjen e tyre, dhe i kanë përgatitur për shitje në treg.
Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.