Conte: Napoli humbi bonusin, por Scudetto ende është e arritshme

- Bota Sot

Conte: Napoli humbi bonusin, por Scudetto ende është e arritshme

Antonio Conte pranoi se Napoli “humbi bonusin që kishte” në garën për Scudetto pas barazimit 2-2 ndaj Genoas të dielën mbrëma, duke shprehur “hidhërim dhe keqardhje”, por theksoi se titulli ende është i mundur.

Napolitanët kaluan dy herë në epërsi me golat e Romelu Lukakut dhe Giacomo Raspadorit – të dy falë asistimeve të Scott McTominay, por Genoa barazoi po dy herë me Ahanor dhe Vasquez.

“Genoa pati dy gjuajtje drejt portës dhe shënoi të dyja. Këto gjëra ndodhin edhe në futboll, kur pranon një gol, gjithmonë mund të kishe bërë diçka më të mirë”, ka thënë fillimisht Conte për DAZN.

“Është zhgënjyese, sepse e meritonim fitoren për gjithçka që krijuam, kështu që mbetet hidhërim dhe keqardhje”.

Trajneri u shfaq i irrituar në intervistat pas ndeshjes, sidomos për shkak të golit të vonshëm të barazimit, duke fajësuar zëvendësuesin mesfushorin Billing.

“Më irriton të mos fitoj në fillim të sezonit, e lëre më tre ndeshje nga fundi. Por ky është futbolli, ndodh. Billing kishte hyrë në fushë për të përmirësuar aftësitë tona ajrore dhe për t’u përballur me këto situata, por krosi shkoi sipër tij për golin e barazimit”.

“Nuk mund të kërkoja më shumë nga lojtarët e mi, pasi ata kishin 22 gjuajtje drejt portës, 11 prej tyre në portë, dominuan posedimin e topit dhe në fund ndeshja ishte barazim. Duhet të përmirësohemi në situata të tilla”.

“Nuk e meritonim humbjen e këtyre dy pikëve, por në të njëjtën kohë duhet të kujtojmë se kemi humbur bonusin që kishim. Na duheshin shtatë pikë nga tre raunde për të fituar titullin, tani na duhen gjashtë pikë nga dy nëse duam të fitojmë Scudetton, gjë që do të ishte diçka e pabesueshme”, përfundoi trajneri italian.



Read it all at Bota Sot