Tardelli: Këtë kampionat mund ta humbasë vetë Napoli

- Bota Sot

Tardelli: Këtë kampionat mund ta humbasë vetë Napoli

Mbi garën e titullit mes Interit dhe Napolit, gabimin e këtij të fundit kundër Genoa, ka folur për “Il Mattino” ish-mesfushori kampion bote në vitin 1982, Marco Tardelli:

“Ndeshje të tilla si ajo e fundit në ‘Maradona’ ndodhin, ndoshta ndikoi edhe rezultati i Interit. Sidoqoftë, unë vazhdoj të besoj se këtë kampionat mund ta humbasë vetëm Napoli.

Sigurisht, ata e shpërdoruan një mundësi shumë të madhe për t’i mbyllur pothuajse përfundimisht llogaritë për titullin, edhe sepse nuk po përballeshin me një skuadër të pamposhtur apo në nivelin e tyre. Interi po bën thjesht detyrën e vet.

Të dielën ndoshta gjithçka do të vendoset. Si më është dukur Napoli? Në ‘Maradona’, kundër skuadrave më të dobëta, Napoli shpesh nuk ka pasur rezultate negative, por rezultate më të dobëta nga sa pritej. Megjithatë, edhe pse barazoi ndaj Genoa, duhet të them që e pashë mirë skuadrën e Contes, me ndonjë rënie të vogël. Është normale që tani të fillojë të ndjehet pak frika”.

A janë ndërruar rolet dhe gjendja psikologjike?

Tani Inzaghi do të aktivizojë lojtarët që s’kanë luajtur shumë. Ata janë më të freskët dhe duan të tregojnë veten. Por, nëse Napoli fiton, nuk ka shumë për të diskutuar. Kur ke mendje të kthjellët, je i përqendruar dhe i etur për triumf, arrin ta udhëheqësh edhe trupin më mirë.

A do ta kenë zikaltërit mendjen te finalja e Champions-it?

Ta kesh mendjen te Champions-i nuk është ndonjë disavantazh. Përkundrazi. Lojtarët kanë mundësi të rikuperohen. Siç u pa edhe ndaj Torinos, zikaltrit mund të luajnë fare mirë me rezervat, të cilët në fakt nuk janë rezerva, por titullarë që qëndrojnë në stol. Napoli, për fat të keq, nuk e ka këtë cilësi dhe thellësi në skuadër.

A do të largohet Conte në fund të sezonit?

Nëse fiton kampionatin, mund të largohet. Edhe nëse nuk e fiton, mund të largohet pa ndonjë dramë. Në fakt, sinjalet për largim i ka dhënë tashmë.



Read it all at Bota Sot