Finalja e katërt e “Play-off”-it në basketbollin e Kosovës ka dhuruar emocione të mëdha, ku Trepça ka arritur ta mposht Bashkimin me rezultat 80:74, të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, duke e çuar serinë në 3-1 dhe duke u afruar vetëm një fitore larg titullit.
Takimi i së mërkurës ishte një tjetër spektakël mes dy skuadrave të mëdha të Superligës, që po luftojnë për kurorën e kampionit.
Mitrovicasit e nisën ndeshjen me intensitet të lartë dhe dominim në periudhën e parë, të cilën e mbyllën me avantazh prej 33:26. Por, ritmi ndryshoi në çerekun e dytë, ku prizrenasit e Bashkimit reaguan fuqishëm. Me një lojë të shkëlqyer në mbrojtje dhe efikasitet në sulm, ata përmbysën gjithçka, duke fituar çerekun me nëntë pikë epërsi (35:44). Gjatë kësaj pjese, Trepça arriti të realizojë vetëm dy pikë.
Kur u duk se mysafirët po e kontrollonin ndeshjen, “Minatorët” u rikthyen fuqishëm në parket në pjesën e dytë. Me një seri prej 19:0 në fillim të çerekut të tretë, Trepça përmbysi rezultatin dhe e mbylli këtë periudhë me avantazh prej tri pikësh (63:60).
Përballja mori përmasa dramatike në çerekun e fundit, ku të dy ekipet luftuan fort për çdo pikë. Në momentet vendimtare, përvoja dhe qetësia e mitrovicasve bëri diferencën, duke siguruar fitoren e tretë në seri me rezultat final 80:74.
Me këtë triumf, Trepça tani është vetëm një fitore larg titullit të kampionit të Kosovës në basketboll. Seria e finaleve zhvillohet me sistemin “katër fitore”, andaj sfida e radhës mund të jetë edhe vendimtare për ta kurorëzuar kampionin e ri ose për ta zgjatur serinë.