Ashtu siç kishte raportuar më herët Gazeta e Prizrenit, tashmë është konfirmuar zyrtarisht se katër kandidatë janë klasifikuar në listën e ngushtë për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Spitalit të Përgjithshëm Rajonal “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren.
Në këtë garë për pozitën udhëheqëse të institucionit spitalor janë përzgjedhur :
Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj – ish-drejtoreshë e spitalit,
Dr. Afrim Avdaj – ish-drejtor për dy mandate,
Sami Ahmetaj, dhe
Osman Hajdari – ish-drejtor.
Aktualisht në krye të spitalit si ushtrues detyre është emëruar Dr. Shefki Xharra. Ai e ka marrë këtë detyrë, ditë më parë, pas përfundimit të mandatit trevjeçar të Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj.
Profilet e kandidatëve:
Osman Hajdari ka shërbyer që nga viti 2022 si drejtor i Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta në këtë spital. Ai ishte gjithashtu ushtrues detyre i drejtorit të QKUK-së, por është liruar nga kjo detyrë për shkak të përfshirjes së tij në garën për drejtues të Spitalit të Prizrenit shkruan Gazeta e Prizrenit.
Nga ana tjetër, Dr. Afrim Avdaj ka një përvojë të gjatë në udhëheqje, pasi ka mbajtur postin e drejtorit ekzekutiv për dy mandate të plota.
Intervistimi më 6 gusht në Prishtinë
Sipas njoftimit zyrtar, prezantimi i kandidatëve dhe intervistimi do të mbahet më 6 gusht 2025 (e mërkurë), në ora 11:00, në ambientet e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.
Procesi i përzgjedhjes pritet të jetë transparent dhe profesional, duke pasur parasysh rëndësinë e institucionit dhe ndikimin e tij në shërbimet shëndetësore për rajonin e Prizrenit dhe më gjerë./ Gazeta e Prizrenit/