Një influencuese e re meksikane në rrjetet sociale, e njohur për videot e saj mbi bukurinë dhe grimin, u vra brutalisht me armë zjarri gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në TikTok – një ngjarje që ka tronditur Meksikën, një vend që përballet me nivele të larta të dhunës me bazë gjinore.
Vdekja e Valeria Márquez, 23 vjeçeare, po hetohet si femicid – vrasje e një gruaje për shkak të gjinisë së saj – bëri të ditur Prokuroria e Shtetit të Jalisos në një deklaratë të publikuar të martën në mbrëmje.
Sipas autoriteteve meksikane, femicidi përfshin dhunë degraduese, abuzim seksual, një lidhje me vrasësin, ose ekspozimin e trupit të viktimës në një hapësirë publike.
Márquez u vra të martën në sallonin e bukurisë ku punonte, në qytetin Zapopan, nga një burrë që hyri dhe e qëlloi me armë zjarri, thuhet në deklaratë. Zyra e prokurorit nuk ka identifikuar ende asnjë të dyshuar, raporton the guardian.
Pak sekonda para incidentit, Márquez u pa në transmetimin e saj të drejtpërdrejtë në TikTok, ulur në një tavolinë duke mbajtur një lodër pelushi. Ajo u dëgjua duke thënë: “Po vijnë,” përpara se një zë në prapavijë të pyeste: “Hej, Vale?”
“Po,” u përgjigj Márquez, përpara se ta fshihte zërin në transmetim.
Pak çaste më vonë, ajo u vra me armë zjarri. Një person u shfaq duke marrë telefonin e saj, me fytyrën që për pak sekonda u pa në video, para se transmetimi të përfundonte.
Márquez, e cila kishte afro 200 mijë ndjekës në Instagram dhe TikTok, më herët gjatë transmetimit kishte treguar se dikush kishte ardhur në sallon kur ajo nuk ndodhej aty, për t’i dorëzuar një “dhuratë të shtrenjtë”. Márquez, që dukej e shqetësuar, kishte thënë se nuk kishte ndërmend ta priste personin që të kthehej.
Meksika ndan vendin e katërt për nga shkalla më e lartë e femicideve në Amerikën Latine dhe Karaibe – bashkë me Paraguajin, Uruguajin dhe Bolivinë – sipas të dhënave më të fundit nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Amerikën Latine dhe Karaibe, me 1.3 vdekje të tilla për çdo 100 mijë gra në vitin 2023.