Juventusi është në lëvizje në merkato, pavarësisht se ende nuk dihet nëse do të marrë pjesë në Champions League sezonin e ardhshëm.
Synimi kryesor është Karim Adeyemi, sulmuesi i shpejtë i Borussia Dortmund, i cili ka qenë një objektiv i hershëm i drejtorit sportiv Cristiano Giuntoli.
Sipas Tuttosport, klubi torinez ka qenë shumë pranë afrimit të Adeyemit që verën e kaluar, duke arritur një marrëveshje parimore me përfaqësuesit e lojtarit, por Borussia vendosi të bllokojë transferimin në momentet e fundit.
Në janar ishte Napoli që tentoi ta rrëmbejë sulmuesin gjerman, madje duke gjetur edhe një marrëveshje me klubin gjerman, por vetë lojtari refuzoi ofertën, duke sinjalizuar se dëshiron të transferohet vetëm te Juventusi.
Adeyemi, i cili fiton 3 milionë euro në sezon, shihet si një investim i përballueshëm financiarisht për klubin italian. Juventusit tashmë i është hapur rruga, pasi ka lënë pas konkurrencën e Chelsea-t dhe Napolit, dhe është në pritje të përfundimit të sezonit në Bundesliga për të bërë goditjen përfundimtare.
Transferimi i Adeyemit mund të ndodhë pavarësisht nëse Juventusi dhe Dortmund sigurojnë ose jo kualifikimin në Champions League, duke e bërë atë një prioritet për merkaton verore të “Zonjës së Vjetër”.