Futbollistët e Kombëtares tani janë të suksesshëm jashtë, një brez që di të fitojë tituj kampion

- Bota Sot

Futbollistët e Kombëtares tani janë të suksesshëm jashtë, një brez që di të fitojë tituj kampion

Sot, një pjesë e mirë e Kombëtares shqiptare përbëhet nga futbollistë që kanë shijuar shijen e titullit kampion në kampionate të ndryshme. Kjo përvojë dhe ky mentalitet fitues përkthehet në një përfaqësuese më të fortë, më të pjekur dhe më ambicioze. Nga stadiumet e Kroacisë dhe Polonisë, Belgjikë e Letoni, për të mbërritur te Asllani në Itali, kuqezinjtë po lënë gjurmë.

ZVICËR DHE KROACI- Arlind Ajeti ka qenë pjesë e Bazelit gjatë periudhës së artë të klubit (2010–2015), ku fitoi 5 tituj kampionë. Naser Aliji, një tjetër produkt i të njëjtit klub, fitoi gjithashtu 3 tituj radhazi. Në Kroaci, Endri Çekiçi u shpall kampion me Dinamo Zagrebin në tri sezone (2014–‘15, 2015–‘16, 2017–‘18), ndërkohë së fundmi, Arbër Hoxha ka ndjekur hapat e tij, duke fituar titullin në sezonin 2023–‘24 me të njëjtin klub.

POLONI DHE HUNGARI – Sadiku dhe Muçi. Armando Sadiku ngriti trofeun me Legia Varshavën në sezonin 2017– ‘18. Ndërsa Ernest Muçi, pjesë e brezit të ri, fitoi titullin me të njëjtin klub në sezonin 2022–‘23. Armando arriti të fitonte edhe një titull tjetër në kampionatin indian. Ndërkaq, në Hungari, Myrto Uzuni fitoi dy herë radhazi titullin kampion me Ferencvaroshin.

BELGJIKË DHE ÇEKI- Muja, Laçi dhe Tuci. Arbnor Muja fitoi titullin me Antverpin në sezonin 2022–‘23. Qazim Laçi dhe Indrit Tuci, të dy pjesë e Sparta Pragës, janë kampionë në dy sezonet e fundit, duke shënuar një tjetër sukses për kuqezinjtë në Europën Qendrore.

SUEDI DHE LETONI- Etrit Berisha, portieri legjendar, fitoi titullin me Kalmarin në Suedi në sezonin e largët 2007–‘08, një nga të parët që shijoi suksesin ndërkombëtar, ndërsa Herdi Prenga, edhe pse në Kombëtare është thirrur vetëm si zëvendësues, është një tjetër kampion i shumëfishtë, me 2 tituj me Riga FC dhe 2 të tjerë me RFS, duke e bërë atë një ndër më të suksesshmit në këtë listë.

SHQIPËRI DHE MAQEDONI- Në Shqipëri, ka qenë Taulant Seferi që është shpallur kampion me Tiranën, ndërsa me Partizanin, kanë festuar Asani dhe Hadroj, në sezone të ndryshme. Seferi ka dalë kampion edhe në Maqedoni me Rabotniçkin, ndërsa Asani tri herë me Vardarin



Read it all at Bota Sot