E ardhmja e Darwin Nunez duket gjithnjë e më larg “Anfield”.
Sipas asaj që raporton “Cadena SER”, sulmuesi uruguaian ka arritur një marrëveshje personale me Atletico Madrid, duke shprehur gatishmërinë për t’u transferuar në La Liga gjatë merkatos së verës.
Nunez iu bashkua Liverpool-it në verën e vitit 2022 nga Benfica për një shifër rekord prej 85 milionë sterlinash, por nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e klubit nën drejtimin e Jurgen Klopp fillimisht dhe më pas të Arne Slot.
Këtë sezon, ai ka shënuar vetëm 7 gola dhe ka dhuruar 5 asistime në 46 ndeshje, duke mos bindur si lider në repartin ofensiv të “The Reds”.
Raporti thekson se tani topi është në fushën e klubeve, të cilat duhet të gjejnë marrëveshjen përfundimtare për transferimin, që mund të zyrtarizohet pas hapjes së merkatos më 1 qershor.
Për Nunez, kjo do të ishte një mundësi e re për t’u rilindur në La Liga dhe për të lënë pas sezonet zhgënjyese në Angli, ndërsa për Atleticon do të përbënte një përforcim të rëndësishëm në repartin e sulmit.