Federico Chiesa, drejt kthimit në Serinë A

- Bota Sot

Federico Chiesa, drejt kthimit në Serinë A

Sezoni i parë i Federico Chiesa-s në Liverpool mund të përshkruhet me një fjalë të vetme: zhgënjim.

Pasi u transferua me bujë nga Juventusi te "The Reds", lojtari italian ka përfunduar jashtë planeve të trajnerit Arne Slot, duke grumbulluar vetëm gjashtë paraqitje gjatë gjithë sezonit, vetëm një prej tyre si titullar, në një ndeshje pa peshë kundër Brighton-it, pasi Liverpool kishte siguruar tashmë titullin në Premier League.

Problemet fizike dhe mungesa e besimit nga ana e teknikut holandez kanë bërë që Chiesa të kalojë më shumë kohë në stol ose në tribunë sesa në fushë.

Slot, i cili e provoi italianin edhe si qendërsulmues, deklaroi publikisht se “Chiesa nuk ishte gati për Premier League”, duke dhënë sinjale të qarta se nuk e konsideron pjesë të projektit të tij.

Kjo situatë ka ndezur zërat për një rikthim të mundshëm në Serinë A, ku Chiesa kërkon rilindjen. Milani dhe Roma, që interesoheshin për të edhe në janar, mbeten pistat më të përfolura.

Gjithsesi, pengesë mbetet paga e lartë prej 7.5 milionë eurosh në sezon, që mund të kapërcehet vetëm me një huazim dhe kontribut financiar nga Liverpool-i.

Në moshën 27-vjeçare, Chiesa ndodhet në një moment vendimtar të karrierës.

Pas lavdisë me Italinë në Euro 2021, ai ka nevojë të rigjejë vetveten, të luajë rregullisht dhe të tregojë se mund të jetë ende protagonist në nivelet më të larta.

Nëse nuk e bën këtë në ‘Anfield’, atëherë rruga për në Itali duket e hapur. Dhe këtë herë, larg rolit të një "9-shi të rremë".



Read it all at Bota Sot