Enrique: Finalja e Kupës së Francës nuk na shpërqendron para Inter

- Bota Sot

Enrique: Finalja e Kupës së Francës nuk na shpërqendron para Inter

Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka mohuar se skuadra e tij do të shpërqendrohet nga finalja e Kupës së Francës ndaj Stade de Reims, përkundër faktit që vetëm pas një jave e pret finalja e madhe e Champions League ndaj Inter.

Kampioni i Francës tashmë ka siguruar titullin e Ligue 1 dhe Superkupën, ndërsa të shtunën e pret një tjetër mundësi për trofe në përballjen me Reims.

Kjo do të ishte Kupa e gjashtëmbëdhjetë për PSG-në në histori, ndërkohë që më 31 maj në “Allianz Arena” në Munich, synojnë fitorja për herë të parë e garës më prestigjioze evropiane.

“Një finale është gjithmonë e veçantë. Çdo futbollist profesionist e ndjen këtë. Është një ndeshje ku vendosin detajet”, është shprehur Enrique në konferencë për media. “Nuk është aspak e vështirë të fokusohemi për këtë sfidë. Askush nuk do të shpërqendrohet. Jemi këtu për të bërë histori dhe kjo finale është një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit tonë. Duhet të vendosim ‘qershinë mbi tortë’”.

Edhe pse përballen me një kundërshtar që po lufton për mbijetesë në elitën franceze, Enrique ka paralajmëruar se një finale kurrë nuk duhet nënvlerësuar.

“Pozita e Reimsit në tabelë nuk ka rëndësi. Ne dimë si t’i shfrytëzojmë hapësirat dhe pikat e dobëta të kundërshtarit. Çdo ndeshje finale kërkon përgatitje serioze dhe jemi duke e bërë këtë deri në detajin e fundit”, ka theksuar spanjolli.

Ai ka shtuar se skuadra do të japë maksimumin për ta fituar këtë trofe. “Finalja nuk fal. Duhet ta fitosh, nuk guxon ta humbasësh.”

Ndërkohë, përballja në Chmapions League kundër Inter vjen në një moment kur italianët janë ende në garë të ngushtë me Napolin për titullin e Serie A, me vetëm një pikë diferencë në javën e fundit të kampionatit.

“Presioni deri në fund ndonjëherë ndihmon për të qëndruar i përqendruar. Edhe ne e kemi pasur këtë presion. Nuk e di nëse kjo është gjë e mirë apo e keqe, por po përpiqem të gjej anën pozitive në orarin tonë”, ka thënë Luis Enrique.



Read it all at Bota Sot