Trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu ka folur në konferencën për media në prag të sfidës kampionale ndaj Ferizajt, e cila njëherit është e fundit për këtë edicion garash 24/25 dhe përcaktuese për fatin e skuadrës.
Tekniku i gjilanasve ka vlerësuar lartë kundërshtarin e së dielës, por ka bërë me dije që ekipi tij do të udhëtoj vetëm për ta fituar këtë takim.
“Na pret një përballje e fortë pasi ndeshemi me një kundërshtar të vështirë siç është Ferizaj që ka fituar të gjitha ndeshjet në shtëpi në stinorin pranveror, përveç asaj të fundit.
Ndeshemi me një skuadër e cila lufton shumë, një skuadër që ka bërë një kampionat shumë të mirë. Neve na ngelet që këtë ndeshje ta zhvillojmë me përkushtim maksimal dhe ta mbyllim edicionin në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Nuhiu.
“Nuk e kemi fatin në dorën tonë, por ne duhet ta kryejmë detyrën. Ndeshjen ndaj Ferizajt duhet t’i qasemi me seriozitet dhe përkushtim maksimal. Për ne si klub është e rëndësishme ta fitojmë ndeshjen e nesërme dhe të presim rezultatet e tjera”.
Tekniku i gjilanasve ka potencuar se skuadra e tij është e fokusuar vetëm te ndeshja e nesërme ndaj Ferizajt, ndërkohë që pret një garë të ndershme deri në fund.
“Nuk dua të besoj për fjalët që qarkullojnë për ndeshjet tjera. Përqëndrimin e kemi vetëm te ndeshja jonë dhe unë këtë mesazh ua kam përcjellë edhe futbollistëve. Është sportive të besojmë deri në fund, pasi që presim profesionalizëm nga secili ekip dhe të bëjnë garë të ndershme”.
Duke folur për Gjilanin e edicionit të ardhshëm, Nuhiu u shpreh:
“Kemi ndërtuar diçka stabile këtë edicion, është ndërtuar një profesionalizëm i jashtëzakonshëm. Frytet e kësaj pune do të vijnë nga edicioni i ardhshëm. Ne besojmë në këtë projekt dhe do të punojmë vazhdimisht për ta jetësuar deri në fund”.
Dueli ndërmjet Ferizajt dhe Gjilanit zhvillohet të dielen me fillim nga ora 16:00 në stadiumin ndihmës në Ferizaj.