Një nga fundjavat më emocionuese në futbollin europian do të zhvillohet në Kroaci, ku tri skuadra janë në një garë të ngushtë për titullin kampion dhe gjithçka do të vendoset në ndeshjet e javës së fundit të kampionatit.
Dinamo Zagreb, aktualisht në krye të tabelës me pikë të barabarta me Rijekën, ka në radhët e saj shqiptarin Arbër Hoxha, i cili shpreson të përsërisë suksesin e sezonit të kaluar, duke u shpallur kampion për herë të dytë radhazi me gjigantët e kryeqytetit. Dinamo do të presë në shtëpi Varazhdin, në një përballje që pritet të jetë plot tension dhe emocione.
Nga ana tjetër, Rijeka, e udhëhequr në mesfushë nga një tjetër shqiptar, Lindon Selahi, do të presë në shtëpi Slaven Belupo, duke shpresuar për një fitore që mund të sjellë titullin e parë që nga viti 2017. Në garë është ende edhe Hajduk Split, me vetëm dy pikë më pak se dy skuadrat kryesuese. Ata do të udhëtojnë drejt Shibenikut, ekip që renditet në fund të tabelës, duke kërkuar një fitore dhe duke shpresuar për një ndalesë të dy konkurrentëve të tyre të drejtpërdrejtë.
TROFEU- Për shkak të kësaj situate të pazakontë dhe tensionit të lartë që mbulon të tri lokacionet, Federata Kroate e Futbollit është vendosur në një pozitë të veçantë: si do të dorëzohet trofeu i kampionit në kohë reale? Zgjidhja ka qenë kreative. Presidenti i federatës do të qëndrojë në gatishmëri në një helikopter, i cili do të ndodhet në një pikë të mesme mes Zagrebit, Rijekës dhe Shibenikut. Sapo të jetë e qartë se cila skuadër është shpallur kampione, helikopteri do të niset menjëherë drejt qytetit përkatës për të dorëzuar Kupën.