Ancelotti synon që Brazilin ta bëjë sërish kampion bote

- Bota Sot

Ancelotti synon që Brazilin ta bëjë sërish kampion bote

Carlo Ancelotti u prezantua të hënën si trajneri i ri i ekipit kombëtar të Brazilit me misionin për ti nxjerrë ata nga një periudhë e vështirë në mënyrë që të përgatiten për Kupën e Botës 2026, ndërsa synojnë të bëhen gjashtë herë kampionë bote.

Ish- trajneri i Real Madridit do të debutojë në ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës kundër Ekuadorit dhe Paraguait në qershor dhe tashmë ka zgjedhur skuadrën e tij të parë për këto ndeshje.

"Jam i nderuar dhe krenar që drejtoj ekipin më të mirë në botë. Kam një punë të madhe përpara meje", tha 65-vjeçari italian në një konferencë për shtyp në selinë e Konfederatës Braziliane të Futbollit (CBF.

"Jam i kënaqur, sfida është e madhe. Gjithmonë kam pasur një lidhje të veçantë me këtë ekip. Do të punojmë për ta bërë Brazilin përsëri kampion", shtoi ai.

Ancelotti, i cili u prit nga ish-trajneri i Brazilit Luiz Felipe Scolari, mori drejtimin e ekipit nga Dorival Junior, i cili u shkarkua në fund të marsit pas një humbjeje 4–1 nga Argjentina, një humbje poshtëruese që ishte e fundit në një seri rezultatesh të dobëta.

Brazili renditet në vendin e katërt në kualifikueset e Kupës së Botës në Amerikën e Jugut, me gjashtë ekipet e para që fitojnë kualifikim të drejtpërdrejtë.

Vështirësitë e ekipit filluan më shumë se dy vjet më parë kur u eliminuan nga Kupa e Botës 2022 nga Kroacia me penallti në çerekfinale. Që atëherë, ata kanë humbur pesë nga 14 ndeshjet e tyre të fundit, duke pësuar 16 gola.

"Këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme. Jam përpjekur të sjell lojtarë që janë të gatshëm dhe të përgatitur për të ndihmuar ekipin të fitojë", tha Ancelotti, i bindur se mund ti përmbushte pritjet e publikut.

"Njerëzit duan që unë të bëj një punë të mirë dhe të fitoj përsëri Kupën e Botës. Për shkak të asaj që kam bërë në të kaluarën, ata presin që unë ta fitoj trofeun, por shpresoj se do ta mbështesin ekipin sepse është shumë e rëndësishme të kesh mbështetjen e vendit", shtoi ai.



Read it all at Bota Sot