Në “media day”, edhe Yann Sommer doli para gazetarëve për të folur rreth finales së Champions League kundër PSG-së, që do të luhet të shtunën e 31 majit në “Allianz Arena”:
“Finalja është një ndeshje e madhe për të gjithë ne, kemi bërë shumë gjëra mirë për të arritur deri këtu si skuadër. Ka shumë gëzim, por duhet të përgatitemi mirë”.
A është ky momenti yt më i mirë në karrierë?
Vështirë të thuhet, por ndjehem shumë mirë. Gjatë viteve të fundit kam investuar shumë në formën time fizike dhe mendore. Të luash një finale me këtë skuadër është fantastike dhe po kënaqem.
Pasi keni eliminuar Barcelonën dhe Bayernin, ku e vendos PSZH-në si nivel?
Në të njëjtin nivel me të tjerët. Është një skuadër më e fortë se disa vite më parë. Do të jetë finale interesante për të dyja skuadrat. Duhet të kemi të njëjtën energji që patëm kundër Bajernit dhe Barcelonës.
Nëse shkoni te penalltitë, kush është favorit?
Nuk e di dhe nuk mendoj për këtë, ndonëse përgatitja e ndeshjes përfshin edhe penalltitë. Më e rëndësishmja është paraqitja e skuadrës.