LDK në Prizren përmes një komunikate ka reaguar ndaj punimeve të përsëritura në lagjen “ Tabakhane” të qytetit.
Reagim i plotë:
Rruga “Ibrahim Rugova” në Prizren, shembull që shpërfaqë logjikën e keqmenaxhimit dhe shpenzimit të papërgjegjshëm të parasë publike.
Vetëm brenda një periudhe 3 vjeqare, po bëhen punime për të tretën herë në rrugën “Ibrahim Rugova” në qytetin e Prizrenit. Ky veprim jo vetëm që dëshmon për mungesë kontrolli të cilësisë së punimeve në projektet publike, por është edhe shembull i qartë i abuzimit të taksave të qytetarëve, përmes shtrimit, rishtrimit, ri-rishtrimit të rrugëve brenda qytetit të Prizrenit!
LDK ka reaguar edhe më herët lidhur me punimet në këtë rrugë, duke ngritur shqetësimet për cilësinë e dobët të realizimit dhe mungesën e transparencës në proces. Fatkeqësisht, vërejtjet tona nuk janë marrë parasysh, dhe tani qytetarët po e paguajnë faturën e një punë të papërgjegjshme.
Është e papranueshme që një rrugë kaq e rëndësishme për qytetin të riparohet vazhdimisht, ndërsa shumë zona të tjera të komunës vazhdojnë të përballen me mungesë infrastrukture elementare.
LDK do të vazhdojë të mbrojë interesin e qytetarëve dhe të kërkojë llogaridhënie për çdo cent të shpenzuar nga buxheti komunal. Qytetarët meritojnë transparencë, cilësi dhe respekt për kontributin e tyre.