Mbappe: Reali kthehet me Kupën e Botës me vete

- Bota Sot

Mbappe: Reali kthehet me Kupën e Botës me vete

Sezoni i rregullt nëse mund ta quajmë kështu ka përfunduar dhe në Madrid është koha për të bërë bilancin.

Sigurisht që ky është një sezon disi i çuditshëm, duke qenë se lojtarët e bardhë nuk kanë shumë kohë për pushime, pasi më 14 qershor nis Kupa e Botës për Klube në variantin e saj të ri (edicioni i parë) dhe të gjithë do të jenë në fushë.

Në pritje të këtij aktiviteti të shumëpritur dhe mjaft fitimprurës, sulmuesi i Realit, Kilië Mbappe është zgjedhur nga tifozët e bardhë si lojtari më i mirë i sezonit te “Los Blancos”.

Sulmuesi i cili ka fituar “Pichichin” (trofeu i golashënuesit më të mirë në Spanjë) dhe “Këpucën e Artë” në Europë, bëri një vlerësim të performancës së tij në sezonin e tij të parë si lojtar i Realit të Madridit.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu në Madrid te Reali. Më është dashur të përshtatem me ekipin, të përshtatem me vendin me një gjuhë të re, një kulturë të re. Tani po mendoj për këtë dhe ndihem shumë mirë në klub, në ekip, në qytet, në fshat… Dhe këtë mund ta shihni në fushë”, deklaroi golashënuesi më i mirë në La Liga me 31 gola. Sfida e radhës e Mbapesë dhe Realit të Madridit është Kupa e Botës për Klube që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara dhe do të nisë më 14 qershor.

“Është hera e parë që do të luajmë në një garë si kjo. Është diçka e re për ne, por jemi gjithashtu shumë të emocionuar, sepse është një mundësi e re për t’u shpallur kampionë bote me klubin. Është një garë e madhe, në Shtetet e Bashkuara, me të gjithë të emocionuar. Siç thashë, është diçka e re për ne, kështu që do të përpiqemi ta fitojmë dhe të kthehemi me trofeun në Madrid”, u shpreh sulmuesi i “Los Blancos”.

Lojtari shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij për çmimin e marrë nga tifozët, që e kanë njohur atë si më të mirin për Madridin në sezonin që u mbyll fundjavën e kaluar.

“Mendoj se është një moment i mirë për mua, kështu që dua të falënderoj të gjithë tifozët e Realit të Madridit dhe të gjithë ata që votuan për mua. Kjo tregon se ata e kanë vlerësuar maksimalisht punën time. Nga ana tjetër, ky trofe është dhe një shtysë më shumë për mua për të vijuar të shënoj dhe të fitoj me Realin”, deklaroi Mbappe.



Read it all at Bota Sot