Ish-presidenti legjendar i Interit, Massimo Moratti, ka dhënë një intervistë të gjatë për ‘Il Giorno’, ku ka folur për finalen e ardhshme të Ligës së Kampionëve dhe për trajnerin aktual të zikaltërve, Simone Inzaghi.
Një figurë për të cilën në të kaluarën ka pasur rezerva, por që sot e vlerëson ndryshe.
“Të arrish në një takim si finalja e Ligës së Kampionëve është një burim krenarie. Le ta shtojmë faktin se këtë herë Interi ka eliminuar Bayernin dhe Barcelonën dhe kjo i jep edhe më shumë vlerë dhe prestigj arritjes.
Edhe pse ky nuk është më Interi i familjes Moratti,” tha Moratti me ndjenjë nostalgjie, por pa e fshehur entuziazmin për suksesin aktual të klubit.
Ai pranon se e ka gjykuar Inzaghin më parë, por tani e vlerëson ndryshe:
“Është e vërtetë dhe më vjen mirë ta them. Në jetë gjithmonë mund të bësh një hap pas. Inzaghi ka bërë shumë mirë, skuadra luan një futboll të bukur dhe, pavarësisht disa humbjeve në kampionat, ka arritur rezultate të rëndësishme.”
I pyetur për një krahasim mes Simone Inzaghi-t dhe Josè Mourinho-s, njeriu që i dha Interit ‘tripletën’ historike më 2010, Moratti tha:
“Simone i afrohet Josè-së. Është e vërtetë që kanë karaktere të ndryshme – ndoshta Inzaghi është më i qetë – por të dy e dinë si fitohet. Dhe pastaj Simone më pëlqen sepse di si të fitojë dashurinë e skuadrës.
Dhe nuk ndalet kurrë së studiuari, së mësuari.”
Fjalë të ngrohta dhe plot respekt nga një emër që peshon shumë në historinë e Interit, në prag të një sfide që mund të shkruajë një tjetër faqe të artë për klubin milanez.