Liverpooli nuk di të ndalet në këtë merkato verore.
Me një rrjet vëzhguesish që operon me një përpikëri të jashtëzakonshme, klubi anglez duket se ka syrin mbi çdo talent në qarkullim, jo vetëm për afatin kalimtar të verës, por edhe për të ardhmen afatmesme të skuadrës.
Një nga emrat që po përflitet gjithnjë e më shumë në ambientet rreth “Anfield” është ai i talentit japonez,
Takefusa Kubo. 23- vjeçari i Real Sociedad është në një pikë kthese në karrierën e tij.
Ndërsa kishte shprehur dëshirën për të qëndruar te klubi bask, largimi i trajnerit ka vënë gjithçka në pikëpyetje. Sipas raportimeve nga Spanja, Kubo pritet të ndërrojë agjent në ditët në vijim, dhe një bisedë serioze mbi të ardhmen e tij është në horizont.
Kjo lëvizje mund të përkojë me një interes të shtuar nga Liverpuli dhe jo vetëm. Edhe Arsenal është përmendur si një nga klubet angleze që po “troket në derën” e lojtarit. Mirëpo, ajo që e bën këtë histori më intriguese është lidhja e saj e mundshme me të ardhmen e Mohamed Salah. Egjiptiani ka rinovuar së fundmi me Liverpulin deri në vitin 2027, por kjo nuk do të thotë se klubi nuk është duke menduar për zëvendësimin e tij.
Kubo, i cili ka një klauzolë lirimi prej 60 milionë eurosh, shihet si një opsion i arsyeshëm për një kalim gradual.
Ai mund të bashkohet me skuadrën në një fazë kur Salah është ende në kulmin e tij, duke mësuar prej tij dhe duke u integruar ngadalë në filozofinë e Slotit. Megjithatë, një qasje e tillë mbart edhe rrezikun e prishjes së ekuilibrit aktual të skuadrës, një risk që drejtuesit duhet ta peshojnë me kujdes.
Në këtë kontekst, blerja e mundshme e Kubo nuk është përparësi, por një mundësi që Liverpuli mund ta eksplorojë pasi të kenë zgjidhur nevojat më emergjente të merkatos.
Nëse çdo gjë shkon sipas planit, Anfield mund të mirëpresë një “princ të ri” në krahun e djathtë, një trashëgimtar që shihet si i denjë i “Mbretit Egjiptian”