Hansi Flick, i cili rinovoi kontratën e tij me Barcelonën deri në vitin 2027, analizoi sezonin e tij të parë në një intervistë të gjatë për “Barça ONE”. Ai u shpreh i kënaqur me punën e bërë, por theksoi se synimi i madh mbetet fitimi i Champions League.
Bilanci i sezonit të parë – “Mund të jemi të kënaqur, gjithçka funksionon shumë mirë. Është fantastike të punosh me këta lojtarë dhe këtë klub. Në fund të fundit, Barcelona është gjithmonë kështu; duhet të fitosh tituj. Në sezonin tim të parë kemi fituar tre tituj, rezultat shumë i mirë”.
Vështirësitë më të mëdha – “Nëntori dhe dhjetori ishin periudha shumë të vështira për ne, por qëndruam të qetë, sepse besonim në atë që po bënim. Një moment tjetër delikat ishte derbi kundër Espanyolit, në stadiumin e tyre, për gjithçka që nënkuptonte. Ata luajtën shumë mirë, na e vështirësuan, por në fund fituam me portë të paprekur dhe gola të Lamine e Fermín”.
Rinovimi dhe e ardhmja – “Nuk bëhet fjalë vetëm për një sezon, por për projektin afatgjatë. Po flasim për filozofi, për idetë që duam të zhvillojmë deri në sezonin 2026-2027. Bashkëpunimi me Bojan dhe Deco është shumë i rëndësishëm për këtë”.
Rruga e festës me tifozët – “Ishte diçka e jashtëzakonshme. Pamë njerëz që qanin nga gëzimi. Kjo është madhështia e punës sonë, t’i bëjmë njerëzit të lumtur. Kjo më jep një ndjenjë të madhe përgjegjësie për sezonin e ardhshëm”.
Lamine Yamal – “Ai është një gjeni. Është vetëm 17 vjeç, ndaj duhet ta ndihmojmë. Shpresoj që edhe ai vetë e kupton këtë. Tani duket se gjithçka është e lehtë, por nuk është kështu. Nëse do të luajë në nivelin më të lartë për 15 vitet e ardhshme, duhet të stërvitet shumë mirë dhe të jetë në nivel të lartë edhe nga ana mendore.
Kjo është gjëja më e rëndësishme. Ai është i zgjuar, inteligjent, por nuk mjafton vetëm të kënaqesh; duhet të punosh e të punosh”.
Filozofia e punës – “Nuk kërkojmë perfeksion, por progres të përditshëm. Duam të arrijmë nivelin e Champions League dhe ta fitojmë atë. E dimë që nuk është e lehtë, por me punë intensive dhe unitet mund ta tregojmë fuqinë tonë në fushë”.