Yjet e futbollit dhe të fatit, përfshirë edhe atë të PSG-së e Mbappé, mungesë domethënëse sonte, e kanë vendosur skuadrën pariziene në kufijtë e lavdisë, në Mynih, në prag të Champions-it të parë në histori. Ka qenë një rrugëtim i dhimbshëm, por ata janë sërish pranë qëllimit të tyre më të madh, pothuajse obsesiv.
Qëllimi i ekzistencës, Champions-i
Të bëhet kampion i Europës dhe t’i shikojë të tjerët nga lart; Interin, Barçën, Real Madridin, Bayernin e gjithë Premier League, është kthyer në vetë misionin e PSG-së që nga viti 2011, kur Katari bleu klubin në fjalë.
Kanë kaluar më pak se 15 vite që atëherë, me parizienët që e kanë humbur tashmë një shans të madh në finalen e vitit 2020 ndaj Bayernit.
Megjithatë, arkat e QSI, fondi investues i familjes mbretërore të Katarit, kanë qëndruar të hapura. PSG arrin sot finalen e dytë të Champions-it, pas 2.283 miliardë eurosh të shpenzuara në merkato.
Nën urdhrat e Emiratit të Katarit janë realizuar blerjet më të bujshme: 222 milionë për Neymar, 180 për Mbappé, 95 për Kolo Muani, 70 për Kvaratskhelia, 68 për Hakimi, 64 për Cavani, 63 për Di María, 60 për Gonçalo Ramos…
Askush nuk ka shpenzuar më shumë në më pak kohë. Në krahasim, Manchester City iu desh të investonte “vetëm” 1.452 miliardë euro për ta fituar Champions-in; para që vinin nga Emiratet e Bashkuara. Nëse PSG fiton sot, atëherë Lindja e Mesme do ta ketë pushtuar Europën përmes dy klubeve: njërit në Paris dhe tjetrit në Manchester.
Faktori “Lucho”
Për herë të parë, paratë e PSG-së janë shoqëruar me një vizion të qartë sportiv. Luis Enrique ka marrë “frenat” e drejtimit dhe ka sjellë kthesën për të cilën klubi parizien kishte nevojë. Janë larguar Verratti, Neymar, Messi dhe, me kalimin e kohës, edhe Mbappé. Në vend të tyre, skuadra është mbushur me të rinj të etur dhe plot energji, të udhëhequr nga një Dembélé i rilindur, që sot është në garë për “Topin e Artë”. Transformim befasues nga “gjumashi” i Barçës në një sulmues vendimtar.
Luis Enrique kërkon Champions-in e dytë si trajner, pas atij të vitit 2015 me Barcelonën, gjithashtu në Gjermani, gjithashtu ndaj një ekipi italian. Ai krenohet me një rekord perfekt: i ka fituar të gjitha, 10 finalet që ka luajtur në nivel klubesh si trajner. E vetmja humbje është ajo ndaj Francës në finalen e “Nations League” me Spanjën.
Sot, PSG ka në dispozicion formacionin më të mirë, me Doué, Dembélé dhe Kvaratskhelia në sulm, një treshe më e besueshme sesa ajo me Barcola.
Interi, dinjiteti i klasikëve
Interi nuk ka asnjë mungesë dhe, ashtu si në finalen e Stambollit ndaj Manchester City, dy vite më parë, përfaqëson forcën e traditës. Zikaltrit janë mishërimi i atyre që nuk duan të shohin fitues klubet e krijuara nga petrodollarët.
Problemi? Interi mbërrin në këtë finale i lodhur dhe i tronditur. Më saktësisht vjen i eliminuar nga Milani në finale e Kupës së Italisë, ka humbur “in xtremis” titullin e Serie A ndaj Napolit dhe e ka varur fatin e gjithë sezonit në këtë betejë të fundit.
Simone Inzaghi, megjithatë, është specialist i ndeshjeve me eliminim direkt. Ai eliminoi Barçën dhe Bayernin në dy raundet e fundit (çerekfinale dhe gjysmëfinale), si dhe i dha Manchester City një finale shumë të vështirë më 2023.
Nga ajo skuadër kanë mbetur 7 lojtarë; përfshirë Lautaro Martínez, sulmuesi më i rrezikshëm i zikaltërve, që shoqërohet nga mbrojtja klasike italiane dhe mentaliteti i pathyeshëm i Interit.
Sonte, në Mynih, Europa do të vendosë. Të pasurit e rinj përballë gjigantëve tradicionalë. Të sapoardhurit kundër “veteranëve”. Milionat kundër medaljeve. Champions-i komandon, Champions-i rishkruan historinë. PSG apo Interi, kush do të triumfojë?