Mareska bën llogaritë pa Brojën

- Bota Sot

Mareska bën llogaritë pa Brojën

Kjo verë do të jetë mjaft e rëndësishme për Armando Brojën pasi situata e krijuar në “Stamford Bridge” për shqiptarin është mjaft e ndërlikuar.

Rikthimi i tij nga Evertoni nuk është një mister pasi bomberi shqiptar për shkak të dëmtimeve të shumta dështoi që të kishte sukses në Liverpul dhe të bënte që “Toffees” të aktivizonin të drejtën e blerjes që kishin në kontratën e huazimit me Çelsin.

Zhvillimet e fundit në “Stamford Bridge” nuk i japin shumë alternativa Brojës. Në mediet britanike thuhet se Çelsi ka gjetur gjuhën e përbashkët me ekipin e Ipsuiçit, i cili do të përfitojë rreth 30 milionë euro në këmbim të kartonit të Liam Delap.

Transferimi i 22-vjeçarit në Londër është çështje kohe, por nuk do të jetë as i fundit. Sipas medieve angleze trajneri i Çelsit po kërkon sulmues të tjerë përveç Delap. Bomberi i Frankfurtit, Hugo Ekitike është ende në planet e Enco Mareskës.

Ky i fundit do të duhet të punojë fort për ta bindur francezin, i cili pëlqehet edhe nga Liverpuli.

Në këtë duel Çelsi ka edhe një plan “B”. Mësohet se emisarë të skuadrës londineze janë takuar pak ditë më parë me drejtuesit e ekipit të Strasburgut pasi u kanë shprehur interes të fortë për sulmuesin e ekipit, Emanuel Emegha.



Read it all at Bota Sot