Antonio Rudiger është përballur me disa lëndime kohët e fundit, çka ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e tij te Real Madridi.
Megjithatë, mbrojtësi gjerman nuk ka ndërmend të largohet dhe synon të arrijë suksese të tjera në Evropë përpara fundit të karrierës.
Sipas gazetarit Sacha Tavolieri, Rudiger ka refuzuar një ofertë shumë të majme nga klubi saudit Al-Hilal këtë javë.
Oferta parashikonte një pagë 3,5 herë më të lartë se ajo që përfiton aktualisht në Madrid prej nëntë milionë eurove në sezon, për një kontratë dyvjeçare me opsion për një vit të tretë.
Al-Hilal i ka ofruar Rudigerit mbi 30 milionë euro pagë vjetore, por për gjermanin nuk ka mjaftuar që të bindet për tu larguar.
Tavolieri theksoi se refuzimi i kësaj oferte është tregues i përkushtimit të Rudiger ndaj fanellës së Real Madridit.
“Ai ka vendosur të qëndrojë për të luftuar dhe për të kontribuar më tej në sukseset e klubit,” tha gazetari belg.
Al-Hilal është një nga klubet më të fuqishme në Ligën Profesionale Saudite dhe ka në përbërje yje të njohur botërorë. Oferta për Rudiger vjen në vazhdën e përpjekjeve të klubit për të afruar emra të mëdhenj nga futbolli evropian.
Ndërkohë, te Real Madridi situata në mbrojtje pritet të ndryshojë sezonin e ardhshëm. Dean Huijsen është bashkuar me skuadrën, ndërsa Eder Militao pritet të rikthehet në formë të plotë pas dëmtimit.
Edhe pse konkurrenca në repartin e prapavijës do të rritet, Rudiger pritet të ketë një rol të rëndësishëm, sidomos në ndeshjet e mëdha evropiane.
Qëndrimi i Rudiger te Real Madrid jo vetëm që përforcon repartin defensivë, por tregon gjithashtu besnikërinë e tij ndaj klubit dhe dëshirën për të arritur suksese të reja me Los Blancos.