E madje sipas Rrahmanit, ani pse në Komunën e Fushë-Kosovës janë punësuar disa asistentë, disa prej tyre e kanë ndërprerë punën.
“Është shumë sfiduese edhe pse tashti po ka kuadro po përgatiten, është sfiduese, nganjëherë kur fillojnë punën e shohin se sa vështirë është. Por institucionet tona duhet t’i obligojnë derisa i përgatitsin dhe u ofrojnë një punë të sigurt atëherë të jenë të përgjegjshëm. Kemi pasur raste në Fushë- Kosovë, se edhe pas pranimit të asistentëve ata nuk e kanë vazhduar”, thotë Mimoza Rrahmani.
Nga shoqata “Handikos” thonë se së fundi ka pasur një përpjekje për të rritur numrin e këtyre punonjësve të arsimit.
“Është evident edhe mungesa e asistentëve, apo mbështetësve nëpër shkolla ndonëse në pesë vitet e fundit është përllogaritur nga Qeveria e Kosovës, gjë që ka ndodhur për çdo vit. Pra janë angazhuar nga 100 asistentë në nivel të Kosovës, por ata i kanë shërbyer një pjesë e fëmijëve që janë të përfshirë. Shteti nuk është duke bërë asgjë për inkuadrimin e këtij 80%-shi tjetër të cilët janë jashtë bankave shkollore”, shprehet Kaltrina Misini – zyrtare për informim në “Handikos”.
Se duhet të ketë një rritje të numrit të asistentëve e thotë edhe njohësi i arsimit, Rinor Qehaja.
“Rritja e numrit të asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara është përgjegjësi institucionale dhe mbi të gjitha është detyrim ndaj fëmijëve për të garantuar një institucion të barabartë. Ajo çka është e rëndësishme përtej rekrutimit të numrit proporcional të asistentëve është edhe kompetenca e tyre e duhur profesionale për të ofruar shërbime të dinjetsëem dhe të barabarta për çdo fëmijë”, vlerëson Qehaja.
E në shkollat në Kosovë, sipas Ministrisë së Arsimit, aktualisht janë të punësuar 420 asistentë.
Ndërsa nga kjo ministri kanë bërë të ditur se ky numër pritet të rritet.
“MASHTII-i ka paraparë punësimin e 500 asistentëve nëpër shkolla që pritet të punësohen nga komunat. Ata kanë përfunduar nivelin V për asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta. Jemi në përgatitje të asistentëve të tjerë”, thuhet nga MASHT-i.
Mungesa e asistentëve shihet si një faktorët e mosvijimit të procesit mësimore nga nxënësit me aftësi të kufizuara./teve1/