Në këto zona, Fiksi gjeti shumë stacione pa kulla dhe roje. Në disa raste, punonjës sezonalë “ruanin” plazhin përveç punës së tyre. Pushuesit u ankuan për mungesë sigurie, ndërsa theksuan se prindërit shpesh janë të zhytur në telefon, duke mos kontrolluar fëmijët.
Nga 8 kullat, vetëm një kishte roje të pranishëm, që gjithashtu mungonte në momentin e vëzhgimit. Distanca mes kullave ishte 300 metra, ndonëse VKM-ja kërkon nga një roje çdo 80 metra. Kushtet ishin minimale: mungesë flamujsh, pajisjesh dhe shkallësh për kullat.
“Këtu mungon gjithçka, vetëm ankesa ka” – tha një punonjës.
“Kam 5 ditë këtu dhe s’kam parë asnjë roje” – u shpreh një pushues.
Në Lungomare, kullat ekzistojnë, por shpesh janë bosh ose të zëna nga pushues. Në disa raste, punonjës të pa trajnuar thonë se “i ka trajnuar rruga”. Në një rast, një vrojtues i paidentifikuar thotë:
“E kam vendosur unë kullën, po shkova të freskohesha.”
Në Zvërnec, gjendja është edhe më e rëndë: kulla të vjetra, pa vrojtues dhe pa mjete shpëtimi. Disa punonjës as nuk dinin nëse kishte ose jo vrojtues në stacionin ku punonin.