Sacchi, i prerë: Nëse kemi frikë nga Norvegjia, më mirë të rrimë në shtëpi…

- Bota Sot

Sacchi, i prerë: Nëse kemi frikë nga Norvegjia, më mirë të rrimë në shtëpi…

“Nëse kemi frikë nga Norvegjia, më mirë të rrimë në shtëpi…” Kështu është shprehur për “Gazzetta dello Sport” ish-trajneri legjendar i Italisë, Arrigo Sacchi, në prag të ndeshjes që kombëtarja axurre do të luajë të premten në mbrëmje në Oslo.

“Haaland? Nëse ata kanë një lojtar që është shumë i mirë, ne duhet të kemi 11 të tillë. A u shpreha qartë? Problemi nuk është Haaland, problemi jemi ne, duhet të luajmë si skuadër. Duhet ta shohim futbollin si shprehje kolektivi, jo e një individi”, – vazhdoi më tej Sacchi.

Historia ka peshën e saj, por nuk zbret në fushë…

Nuk është e vërtetë. Nëse lojtarët edukohen siç duhet, ata e kuptojnë se përfaqësojnë një nga kombëtaret më fituese në botë. Kjo duhet të shihet edhe në fushë. Ky ndërgjegjësim mund të na japë atë dozë shtesë të vetëbesimit që është thelbësore.

Cili është sot problemi më i madh i Italisë?

Mungesa e një stili në futbollin italian dhe, rrjedhimisht, mungesa e një identiteti loje të kombëtares. Spalletti është shumë i aftë, por po bën akrobaci për ta mbajtur këtë skuadër.

Çfarë mund të shpikë ai nëse një pjesë e lojtarëve luajnë me mbrojtje me katër, të tjerë janë mësuar me mesfushë pa presion, të tjerë me parimet e ‘catenaccio’ dhe kundërsulmit? Roli i trajnerit të kombëtares, besomëni, është vërtet shumë i ndërlikuar dhe këtë e thotë dikush që e ka përjetuar vetë.

Për çështjen ‘Acerbi’, çfarë mendimi ke formuar?

Një episod i shëmtuar. Nuk mund ta refuzosh ftesën e kombëtares. Kur vesh fanellën e kaltër, ti përfaqëson një komb të tërë, një popull. Ky refuzim tregon se Acerbi e sheh thirrjen në kombëtare si çështje personale dhe vë veten mbi interesin e grupit. Një situatë që më ka zhgënjyer shumë.



Read it all at Bota Sot