Fernandes refuzon ofertën e Al Hilal pas bisedës me trajneri Amorim

- Bota Sot

Fernandes refuzon ofertën e Al Hilal pas bisedës me trajneri Amorim

Bruno Fernandes ka konfirmuar se ka refuzuar një ofertë të madhe nga klubi saudit Al Hilal për të qëndruar te Manchester United, duke theksuar se synimi i tij është të vazhdojë të garojë në nivelin më të lartë të futbollit evropian.

Mesfushori portugez e bëri të ditur këtë vendim të martën, gjatë një konference për shtyp në grumbullimin e Portugalisë, në prag të gjysmëfinales së Nations League ndaj Gjermanisë që zhvillohet të mërkurën në Munich. 

“Presidenti i Al Hilal më telefonoi dhe më pyeti nëse doja të transferohesha atje. Ata pritën që unë të mendoja për të ardhmen time”, tka thënë Fernandes. “Fola me trajnerin dhe ai më kërkoi të mos shkoja. Manchester United më tha se nuk donin të më shisnin. Thanë se nëse doja të largohesha, mund të ikja, por atyre nuk u duhej paraja”.

Sipas raportimeve të mediave britanike, Al Hilal ishte gati të paguante deri në 100 milionë funta për portugezin, por Fernandes vendosi t’i qëndrojë besnik klubit anglez dhe të jetë pjesë e rindërtimit që po udhëhiqet nga trajneri Ruben Amorim.

“Dua të luaj në garat më të mëdha. E di që ende mundem dhe dua të jem i lumtur duke bërë atë që dua më shumë, futbollin. Në të mirë apo në të keq, kështu e shoh këtë sport. Jam i apasionuar pas tij dhe kjo është zgjedhja që kam bërë”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Fernandes e ka pranuar se transferimi në Arabinë Saudite do të kishte qenë i lehtë, pasi aty tashmë aktivizohen bashkëkombësit e tij si Cristiano Ronaldo, Joao Cancelo dhe Ruben Neves.

Kapiteni i Manchester United ishte ndër të paktët që spikati në sezonin më të dobët të klubit në epokën e Premier League, ku skuadra përfundoi në vendin e pesëmbëdhjetë dhe humbi finalen e Europa League kundër Tottenham. Fernandes shënoi nëntëmbëdhjetë gola dhe dha nëntëmbëdhjetë asistime në të gjitha garat këtë sezon.

Që nga transferimi i tij nga Sporting Lisbon në janar të vitit 2020 për 47 milionë funte, Bruno Fernandes ka regjistruar 290 paraqitje dhe nëntëdhjetë e tetë gola me fanellën e “Djajve të Kuq”. 



Read it all at Bota Sot