Ambasadori rus në Londër, Andrei Kelin, ka thënë se sulmet e fundit paraqesin një kërcënim për përshkallëzimin e konfliktit në nivelin e Luftës së Tretë Botërore, duke akuzuar pjesërisht Britaninë e Madhe për përfshirje në operacione.
Kelin në një intervistë për Sky News, pretendoi se Ukraina mund ti kishte kryer sulmet vetëm me ndihmën e teknologjisë së sofistikuar perëndimore.
"Ky është skenari më i keq i mundshëm që mund të imagjinojmë. Ukraina nuk duhet të përpiqet të tërheqë botën në Luftën e Tretë Botërore. Ky lloj sulmi kërkon teknologji shumë të avancuar, të ashtuquajturat të dhëna gjeo-hapësinore, dhe vetëm Londra dhe Uashingtoni e kanë këtë," tha ai.
"Unë nuk besoj se Amerika është e përfshirë, presidenti Trump e ka mohuar fuqishëm këtë, por Londra nuk e ka mohuar. Ne e kemi plotësisht të qartë se sa e përfshirë është Londra dhe sa forcat britanike po bashkëpunojnë me Ukrainën."
Deklaratat vijnë pas një sulmi historik ukrainas mbi bazat ushtarake ruse, për të cilin zyrtarët amerikanë pretendojnë se shkatërroi ose dëmtoi mbi njëzet avionë luftarakë rusë, teksa pala ukrainase përmendi shifrën mbi dyzet.
Planifikimi i operacionit zgjati tetëmbëdhjetë muaj dhe presidenti Volodymyr Zelensky e mbikëqyri personalisht zbatimin e tij, njoftoi Kievi zyrtar, raporton Kp.