"Ne në Gjermani kemi dhënë një impuls të rëndësishëm, që po zhvillohet edhe më tej", thotë Sylvia Schenk nga Transparency International në Gjermani. Juristja dhe ish-atlete ka qenë gjatë Kampionatit Europian të Futbollit për meshkuj më 2024bashkë me përfaqësuese dhe përfaqësues të tjerë të organizatave joqeveritare në këshillin për të drejtat e njeriut të UEFA-s. Ky forum kujdesej gjatë kampionatit për ankesat lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut.
UEFA, Federata Gjermane e Futbollit, qeveria gjermane dhe qeveritë e vendeve pjesëmarrëse si dhe dhjetë qytetet, ku u zhvilluan ndeshjet, u angazhuan, që gjatë Kampionatit Europian të ishte në plan të parë "demokracia, respekti, barazia si dhe zhvillimi e mbrojtja e të drejtave të njeriut". "Ky ishte vetëm një fillim", konkludon Schenk në bisedë për DW. "Por ishte e rëndësishme. Ne prej vitesh kemi luftuar për këtë".
EURO 2024 si model për EURO 2025
Angazhimi gjatë kampionatit të meshkujve do të shërbejë si model për Kampionatin Europian të Futbollit për gra, që zhvillohet nga 2 deri në 27 korrik në Zvicër. Edhe qeveria zvicerane si dhe qeveritë e vendeve pjesëmarrëse në kampionat e institucionet e shoqatat e ndryshme marsin e kaluar (2024) nënshkruan një deklaratë, në të cilën ato deklarohen për të drejtat e njeriut dhe veçanërisht për "Diversitetin, barazinë dhe inkluzionin në dhe përmes sportit", sikurse u shpreh ministrja zvicerane e Sportit Viola Amherd.
Edhe për kampionatin për gra, është krijuar një këshill i të drejtave të njeriut nga organizatat joqeveritare me seli në si Centre for Sport and Human Rights.
Personat përgjegjës i janë drejtuar këshillit sa herë që vlerësohej se janë në rrezik të drejtat e njeriut gjatë Kampiontit Europian, thotë Lisa Salza, përgjegjëse për të drejtat e njeriut pranë Amnesty zvicerane. "Edhe pse disa masa nuk janë aq voluminoze sa do të dëshirohej, kjo nismë është hapi i duhur në drejtimin e duhur", thotë Salza për DW. "Eshtë e rëndësishme që gjatë këtij kampionati të respektohen rregullat e sjelljes në Stadium" si dhe në pikat nevralgjike të francezëve, sikurse janë stacionet e trenit: Zero tolerancë për diskriminim, racizëm dhe dhunë seksuale."
Kush ndihet i kërcënuar dhe diskriminuar në stadiume, mund të skanojë n1ë kode QR, i cili është i dukshëm qartazi në pllakata. Pastaj tifozi apo tifozja e prekur merr menjëherë ndihmën nga ekipet e ashtuquajtur "Awareness-Teams".
Ankesat për shkelje të të drejtave të njeriut mund të komunikohen edhe përmes aplikacionit të kampionatit ose të UEFA-s. Një instancë e pavarur juridike i vlerëson ankesat dhe i komunikon ato më tej, nëse e konsideron të nevojshme, tek instancat përgjegjëse.
Gjatë kampionatit për meshkuj më 2024 ka qenë përgjegjëse një zyrë avokatie në Frankfurt. Ajo shqyrtoi gati 400 ankesa. Shumica e rasteve kishin të bënin me qendrime politike, deklarata nacionaliste, gjeste apo simbole, që përdornin tifozeria. Vetëm pak raste janë kallëzuar për ngacmime seksuale dhe diskriminim racor.
UEFA: "META, X dhe TikTok vazhdojnë të bashkëpunojnë me ne"
Një tjetër pikërëndesë është edhe lufta kundër Cybermobbing. Gjatë Euro 2024 në Gjermani janë mbikqyrur rreth 700 llogari në rrjete sociale të lojtarëve, trainerëve dhe arbitrave. Sipas UEFA-s vetëm në fazën e ndeshjeve në grupe janë njoftuar 666 postime me përmbajtje ofenduese. Në tre nga katër raste, postimet adresoheshin kundër lojtarëve, në mbi 90 përqind në formën e gjuhës së urrejtjes./DW