Policia e Kosovës ka arritur të lokalizojë dhe të kthejë në shtëpi një femër 32-vjeçare nga fshati Reqan i Prizrenit, e cila ishte raportuar si e zhdukur para disa ditësh, me sqarimin se ishte larguar nga shtëpia para dy muajsh dhe nuk dihej për vendndodhjen e saj.
Sipas informacioneve nga familjarët, gruaja kishte probleme të shëndetit mendor dhe edhe më parë kishte pasur raste të largimit nga shtëpia, por kishte mbajtur kontakte telefonike me familjen. Ndërsa, në dy muajt e fundit, ajo kishte humbur çdo kontakt me ta.
Menjëherë pas raportimit, Policia kishte hapur rastin si “Person i zhdukur” dhe kishte ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe operative për gjetjen e saj.
Sot, më 24 korrik 2025, autoritetet kanë arritur ta gjejnë dhe ta kthejnë në familje personin në fjalë, në gjendje të mirë shëndetësore dhe e njëjta ka deklaruar se vullnetarisht ka qëndruar larg shtëpisë.