Zbulohet oferta për paqe e Putinit: ja çfarë përmban

- Gazeta e Prizrenit

Zbulohet oferta për paqe e Putinit: ja çfarë përmban

Presidenti rus Vladimir Putin është treguar i gatshëm për kompromis në luftën me Ukrainën, duke propozuar një marrëveshje që përfshin dorëzimin e pjesës lindore të Donbasit nga Kievi, neutralitet ushtarak dhe garanci që Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO, kanë bërë të ditur burime të larta të afërta me Kremlinin për Reuters.

Sipas burimeve, këto kërkesa u paraqitën gjatë samitit me presidentin amerikan Donald Trump, që u mbajt të premten në Anchorage të Alaskës, në një takim treorësh me dyer të mbyllura – samiti i parë ruso-amerikan në mbi katër vjet.

Putini ka zbutur qëndrimin e mëparshëm që kërkonte dorëzimin e katër rajoneve – Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia. Tani, ai këmbëngul vetëm në Donbas, ndërsa shpreh gatishmëri të ndalë avancimin në rajonet jugore.

Moska kontrollon aktualisht rreth 88% të Donbasit, sipas vlerësimeve të SHBA-së dhe burimeve të hapura. Burimet ruse thonë se mund të rikthehen zona më të vogla nga rajonet Harkiv, Sumi dhe Dnipropetrovsk, si pjesë e një marrëveshjeje.

Putini gjithashtu kërkon që trupat perëndimore të mos dislokohen në Ukrainë, që ushtria ukrainase të kufizohet, si dhe që NATO të japë garanci ligjore se nuk do të zgjerohet më në lindje.


Nga ana tjetër, Ukraina mbetet e vendosur kundër çdo dorëzimi territori. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi: “Nëse flasim për një tërheqje të thjeshtë nga lindja, këtë nuk mund ta bëjmë. Këtu bëhet fjalë për mbijetesën e vendit tonë”.

Zelensky e përshkroi Donbasin si një vijë mbrojtjeje kyçe, ndërsa anëtarësimi në NATO mbetet një qëllim strategjik i garantuar me Kushtetutë.

Burime nga Kremlini thonë se samiti në Alaskë ofroi shansin më të mirë për paqe që nga fillimi i pushtimit: “Putini është i gatshëm për paqe, për kompromis. Ky është mesazhi që iu përcoll Trumpit”, tha një nga burimet.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Ukraina do ta pranojë një marrëveshje të tillë, dhe nëse SHBA-të janë të gatshme të njohin kontrollin rus mbi territoret e pushtuara.



Read it all at Gazeta e Prizrenit