Jep dorëheqje kryetari i LDK-së në Korishë, mospajtime me vendimmarrjen në Degën e Prizrenit

- Gazeta e Prizrenit

Jep dorëheqje kryetari i LDK-së në Korishë, mospajtime me vendimmarrjen në Degën e Prizrenit

Kryetari i Nëndegës së LDK-së në Korishë të Prizrenit, Sadik Memaj, njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita dhe funksionet e anëtarit të Kryesisë dhe Komisionit të Shëndetësisë, pas njw angazhimi prej 25 vitesh.

Njoftimi i plotë i Sadik Memajt

Pas 25 viteve angazhim të pandërprerë dhe pune të përkushtuar, njoftoj opinionin publik se jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të një ndër Nëndegës më të madhe në Prizren, si dhe nga funksionet e Anëtarit të Kryesisë dhe Anëtarit të Komisionit të Shëndetësisë, si reagim i drejtpërdrejtë ndaj mënyrës së papranueshme të vendimmarrjes brenda Degës.

Nëndega që kam udhëhequr ka qenë shtyllë e angazhimit politik dhe organizativ në Prizren. Megjithatë, vendimet e fundit janë marrë në mënyrë të njëanshme, pa konsultim me anëtarësinë dhe strukturat, duke shkelur parimet bazë të demokracisë së brendshme dhe duke minuar besimin e aktivistëve dhe mbështetësve.

Në koordinim me anëtarësinë, kam marrë vendim për ndërprerjen e angazhimeve dhe dorëheqjen nga pozitat që përmenda, deri në largimin e strukturës aktuale në Degë.

Kjo dorëheqje nuk është akt personal dhe as largim nga partia, por një akt politik kundërshtimi ndaj centralizimit të vendimmarrjes, mungesës së transparencës dhe injorimit të zërit të bazës. Nuk mund të jem pjesë e një organizimi ku vota, kontributi dhe angazhimi shumëvjeçar trajtohen si të parëndësishme.

Ky vendim është marrë në emër të parimit, të përgjegjësisë politike dhe të respektit ndaj qytetarëve që kanë besuar dhe kanë kontribuar. Ky është një mesazh i qartë se strukturat nuk mund të anashkalohen pa pasoja politike.

Dr. Sadik Memaj

Prizren

https://www.facebook.com/story.php?story_fbid=2729470747418159&id=100010657806047&rdid=URPaTUU6ke2EGcDN#


Read it all at Gazeta e Prizrenit