Kurti tërhiqet nga ideja për Konjufcën? Po shqyrtohet një emër nga familja Jashari për President

- Gazeta e Prizrenit

Kurti tërhiqet nga ideja për Konjufcën? Po shqyrtohet një emër nga familja Jashari për President

Zhvillime të reja po ndodhin brenda radhëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit të vendit.

Sipas burimeve të besueshme nga strukturat e kësaj partie, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar diskutime me deputetët e partisë pas reagimeve të shumta kundër idesë që për postin e Presidentit të propozohej Glauk Konjufca, e jo Vjosa Osmani.

Reagimet, si brenda spektrit politik ashtu edhe në opinionin publik, duket se kanë shtyrë Kurtin që ta rishqyrtojë këtë opsion dhe të hapë diskutimin për alternativa të tjera.

Në këtë kontekst, sipas të njëjtave burime, Kurti u ka bërë të ditur deputetëve se do të vazhdojë përpjekjet për ta bindur një përfaqësues nga familja Jashari që të marrë përgjegjësinë e postit të Presidentit të Republikës.


Ideja për një figurë nga familja simbol e rezistencës së Kosovës po shihet nga disa brenda shumicës si një përpjekje për të gjetur një kandidat me peshë morale dhe simbolike, në një moment kur procesi i zgjedhjes së Presidentit po shoqërohet me kalkulime të forta politike.

Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim publik nga familja Jashari lidhur me një propozim të tillë, ndërsa mbetet e paqartë nëse një kandidat i tillë do të pranonte të hyjë në garën politike për postin më të lartë shtetëror./GS



Read it all at Gazeta e Prizrenit