Policia ka arrestuar në Prizren një nga personat më të kërkuar nga drejtësia kosovare, Ambroz Perlazeri, i dyshuar për vrasjen e rëndë të Hekuran Morinës, ngjarje që kishte ndodhur në vitin 2014.
Sipas informacioneve nga burime të afërta me hetimin, Perlazeri kishte qenë në arrati që nga koha e kryerjes së krimit, duke i shmangur për vite me radhë organeve të rendit dhe drejtësisë.
Ndaj tij kanë qenë aktive tri urdhër-arreste, të lëshuara nga autoritetet kompetente, për shkak të dyshimeve për përfshirje në rastin e vrasjes së rëndë.
Pas një periudhe të gjatë kërkimesh, autoritetet kanë arritur ta lokalizojnë dhe arrestojnë në Prizren, duke i dhënë fund arratisë që kishte zgjatur mbi një dekadë.
I dyshuari pritet të dërgohet para organeve të drejtësisë për procedurat e mëtejshme, ndërsa rasti i vrasjes së vitit 2014 mbetet ndër ngjarjet e rënda kriminale që kishin mbetur pa epilog për vite të tëra.