Zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë zhvilluar një operacion të gjerë bastisjeje në Qendrën Korrektuese të Dubravës, me qëllim të parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme dhe rritjes së sigurisë brenda institucionit korrektues.
Gjatë aksionit janë kontrolluar të gjitha hapësirat e brendshme të qendrës, përfshirë dhomat e të burgosurve, hapësirat e përbashkëta, sallën e sportit, si dhe ambientet e jashtme përcjellëse.
Në operacion kanë marrë pjesë edhe zyrtarë korrektues nga institucione të tjera korrektuese, ndërsa mbështetje ka ofruar edhe njësia speciale K9.
Sipas njoftimit zyrtar, pas përfundimit të kontrollit nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm. Megjithatë, gjatë bastisjes janë larguar sende të tepërta nga dhomat e të burgosurve dhe hapësirat e përbashkëta, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka falënderuar të burgosurit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë realizimit të këtij operacioni, duke theksuar se aksione të tilla synojnë krijimin e një ambienti korrektues të qetë, të sigurt dhe funksional.