Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka shprehur optimizëm lidhur me futbollistët e rinj që janë grumbulluar te “Dardanët”, duke vënë në pah se ata kanë treguar paraqitje të mira në klubet e tyre dhe kanë lënë përshtypje pozitive.
Kosova në ditët në vijim do të zhvillojë dy miqësore, fillimisht më 31 maj në transfertë ndaj Çekisë, ndërsa një javë më pas do të presë Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Për këto dy duele, Foda ka bërë publike listën me 25 lojtarë, ku përfshihen edhe disa rikthime, si dhe tre emra të rinj: Valmir Matoshi, Dardan Shabanhaxhaj dhe Rilind Nivokazi.
Trajneri gjerman ka theksuar se i ka ndjekur nga afër lojtarët e rinj, përfshirë edhe vizitën e tij në ndeshjet e FC Lugano në Zvicër. Sipas tij, performancat e tyre kanë qenë vendimtare për ftesën në kombëtare.
“Tre prurjet e reja i kam vëzhguar në ndeshjet e tyre dhe kam qenë edhe në FC Lugano. Më kanë lënë përshtypje të mirë gjatë paraqitjeve të tyre dhe pikërisht për këtë shkak i kam ftuar”, ka thënë fillimisht Foda në konferencë.
“Tani është koha që ata të tregojnë veten dhe të zënë vend në ekipin kombëtar të Kosovës”, përfundoi trajneri gjerman.