Gjykata e Apelit e Kosovës ka marrë vendim duke ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, në rastin e njohur si “Cobra City”.
Sipas aktgjykimit të Apelit APS.nr.7/2026, është aprovuar pjesërisht ankesa e mbrojtjes së të akuzuarit R.S., vetëm sa i përket veprës penale “manipulimi me prova”. Për këtë vepër, Gjykata e Apelit ka shqiptuar dënim me burgim prej 3 vitesh, ndërsa dënimi unik për tri veprat penale për të cilat ai është shpallur fajtor është caktuar në 5 vite burgim.
Në pjesën tjetër, Apeli ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të disa të akuzuarve dhe ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për ta.
Gjykata ka hedhur gjithashtu si të palejuar një ankesë të palës së dëmtuar, ndërsa ka anuluar një aktvendim të mëparshëm lidhur me kërkesën për kthimin e një sendi të sekuestruar, duke e kthyer çështjen në rivendosje në shkallë të parë.
Apeli ka vlerësuar se procesi gjyqësor është zhvilluar në mënyrë të ligjshme dhe se aktgjykimi i shkallës së parë përmban arsye të qarta dhe të mjaftueshme për vendimet e marra. / GS