E rëndë: Dy oficerë të policisë shqiptare vdesin brenda natës në një burg

- Gazeta e Prizrenit

E rëndë: Dy oficerë të policisë shqiptare vdesin brenda natës në një burg

Dy oficerë policie kanë ndërruar jetë në burgun 313, njëri pas tjetrit.

Siç raporton Top Channel fillimisht nga zemra ka ndërruar jetë Zog Muhametaj dhe më pas në mesnatë Pëllumb Vrana.

Njoftimi:

Një ngjarje e rëndë ka prekur familjen e madhe të sistemit penitenciar shqiptar. Gjatë ushtrimit të detyrës, dy punonjës të IEVP “Jordan Misja”, Zog Muhametaj, Specialist i Informacionit me gradën Komisar, dhe Pëllumb Vrana, Teknik i Kamerave, me graden Kryeinspektor, humbën jetën si pasojë e gjendjeve të papritura shëndetësore.

Rreth orës 21:36 të datës 29 qershor 2026, Zog Muhametaj, gjatë instruktazhit të stafit për ndërrimin e shërbimit, pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore. Kolegët e pranishëm dhe personeli shëndetësor i institucionit ndërhynë menjëherë, duke i dhënë ndihmën e parë dhe duke e transportuar me urgjencë me ambulancën e IEVP-së drejt Spitalit Ushtarak. Pavarësisht përpjekjeve të pandërprera të ekipit mjekësor, ai nuk arriti të mbijetojë.

Pak orë më vonë, rreth orës 00:00 të datës 30 qershor 2026, edhe Pëllumb Vrana, gjatë ushtrimit të detyrës në ambientet e institucionit, pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore. Menjëherë iu dha ndihma e parë nga kolegët dhe infermierja e institucionit, ndërsa më pas u transportua me urgjencë drejt QSUT-së. Rreth orës 01:00, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë.

Zog Muhametaj ishte pjesë e sistemit penitenciar që prej vitit 2015, ndërsa prej vitit 2023 shërbente në IEVP “Jordan Misja”.

Me arsim ushtarak dhe gradën Komisar, ai u dallua për profesionalizmin, përkushtimin dhe përgjegjshmërinë në detyrë.

Pëllumb Vrana, në detyrën e Teknikut të Kamerave, dha një kontribut të vyer në funksionimin dhe sigurinë e institucionit, duke fituar respektin dhe vlerësimin e kolegëve për korrektësinë dhe përkushtimin e tij në punë.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nderon me respekt kujtimin e dy kolegëve tanë dhe shpreh mirënjohjen për kontributin e tyre të vyer në përmbushjen e misionit të sistemit penitenciar shqiptar.

Profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre në ushtrimin e detyrës do të mbeten një shembull për institucionin dhe për të gjithë punonjësit e tij.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të të ndjerëve.\



Read it all at Gazeta e Prizrenit