Malisheva sonte mysafire e Vllaznisë në përballje shqiptare në Conference League

- Gazeta e Prizrenit

Malisheva sonte mysafire e Vllaznisë në përballje shqiptare në Conference League

Malisheva do të shkruajë sonte një tjetër kapitull në historinë e saj evropiane, teksa zbret në fushë për ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Conference League.

Nënkampionia e Kosovës në futboll, do të përballet me Vllazninë e Shkodrës në një duel shqiptar, ku të dyja ekipet synojnë të hedhin hapin e parë drejt raundit të dytë të garës.

Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, me fillim nga ora 20:00.

Vllaznia e pret këtë sfidë pas përgatitjeve intensive të zhvilluara gjatë ditëve të fundit, me stafin teknik që ka punuar në aspektin taktik dhe fizik për ta pasur skuadrën në formën më të mirë për përballjen me ekipin nga Kosova, transmeton Klankosova.tv.

Në anën tjetër, Malisheva synon të marrë një rezultat pozitiv në transfertë, i cili do t’i jepte avantazh para ndeshjes së kthimit që do të luhet pas një jave në Kosovë.

Përballja pritet të jetë e fortë dhe e luftuar, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një format eliminues, ku çdo gol mund të ketë peshë të madhe në garën për kualifikim në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.

Në stadiumin “Loro Boriçi” pritet një atmosferë e zjarrtë, ndërsa vëmendja e tifozëve shqiptarë do të jetë e përqendruar te ky duel mes dy skuadrave që synojnë të vazhdojnë rrugëtimin e tyre në arenën evropiane.



Read it all at Gazeta e Prizrenit