Detaje të reja kanë dalë në dritë nga komunikimet mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, me këtë të fundit që shfrytëzonte të dhënat që i jepte shefja e SHISH për të qëndruar 8 muaj në arrati, duke iu fshehur policisë.
Në një prej bisedave, Hyseni dyshohet se i jep Agasit informacion mbi lëvizjet e strukturave të sigurisë. Në një prej qindra mesazheve që dyshja ka shkëmbyer mes tyre, Hyseni i kërkon Agasit të mos përdorë një numër tjetër telefoni, duke i thënë se ai dyshohet se është nën përgjim.
Në vijim, Ergys Agasi e pyet nëse ka ndonjë rrezik për persona të afërt me të, ndërsa përgjigjja që sipas dosjes i përket Hysenit është:
Krejt radarët e shtetit i fik për ty!
Gjatë ditës së sotme Vlora Hyseni do të dalë sot përpara Gjykatës së Posaçme, për t’u njohur me masën e sigurisë, dhe ku pritet të japë shpjegime për komunikimet me Agasin përpara prokurorëve të SPAK.
Kur u mor në pyetje rreth një javë më parë nga hetuesit e SPAK, Hyseni kishte deklaruar se Agasi ishte një bashkëpunëtor i saj, në kuadër të rrjetit të agjentëve të SHISH. Por sipas provave të publikuara deri tani nga Prokuroria pretendimi i saj nuk qëndron, dhe se marrëdhënia mes dyshes ka qenë përtej asaj institucionale.