Qeveria miraton disa projektligje, përfshirë Byronë e Konfiskimit dhe ligjet për drejtësinë

- Gazeta e Prizrenit

Qeveria miraton disa projektligje, përfshirë Byronë e Konfiskimit dhe ligjet për drejtësinë

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbrëmë një mbledhje elektronike, gjatë së cilës janë miratuar një sërë projektligjesh dhe vendimesh.

Qeveria ka njoftuasr sot se në mesin e projektligjeve të miratuara është edhe ai për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Sipas njoftimit të Qeverisë, qëllimi i tij është themelimi, organizimi dhe përcaktimi i kompetencave të Byrosë, si dhe procedurave për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Pjesë e agjendës ishte edhe Projektligji për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Me këtë projektligj përcaktohen rregullat për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve e prokurorëve.

Po ashtu, është aprovuar Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i cili përcakton parimet, procedurat, organet kompetente dhe masat disiplinore për shkeljet e detyrimeve profesionale.

Në kuadër të reformës në drejtësi, ekzekutivi ka kaluar edhe projektligjet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë.

Sipas njoftimit, ky i fundit synon të sigurojë zhvillimin e vazhdueshëm, cilësor dhe të standardizuar profesional të gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë që lidhen me sistemin e drejtësisë.

Në mbledhjen elektronike janë përfshirë edhe Projektligji për Energjinë dhe ai për Energjinë Elektrike.

Përmes Projektligjit për Energjinë synohet përcaktimi i parimeve dhe rregullave që rregullojnë aktivitetet në sektorin energjetik, me qëllim sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor me energji, si dhe krijimin e kushteve për një treg të hapur, transparent dhe konkurrues.

Ndërsa, Projektligji për Energjinë Elektrike përcakton rregullat dhe masat për këtë sektor, me synim garantimin e furnizimit të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike, me çmime të përballueshme dhe transparente për konsumatorët fundorë.

Në mesin e pikave të miratuara ishte edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.

Ndër projektligjet e tjera të miratuara janë edhe ai për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe Projektligji për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare. Ky i fundit synon parandalimin e vonesave të pagesave dhe përcaktimin e rregullave për afatet dhe mënyrën e llogaritjes së kamatëvonesave ndërmjet shoqërive tregtare dhe autoriteteve publike.

Në mbledhje është marrë edhe vendimi për t’ia propozuar Kuvendit kandidatët për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, si dhe kandidatët për dy pozita të anëtarëve të këtij bordi.

Po ashtu, janë dhënë me qira disa pjesë të parcelave në zona të ndryshme kadastrale për nxjerrjen, përpunimin dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror, gurit dekorativ dhe materialeve të tjera.

Parcelat gjenden në Semajë të Kaçanikut, Vasilevë dhe Korroticë të Epërme të Drenasit, Rahovec, Samadrexhë të Suharekës, Zatriq të Rahovecit, Raçak të Shtimes dhe Strazhë të Kaçanikut.

Gjatë mbledhjes është miratuar edhe Deklarata e Prioriteteve Afatmesme të Qeverisë 2027–2029, e cila përcakton kornizën e politikave për përgatitjen e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe buxhetit vjetor.

Gjithashtu, Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut i është vazhduar mandati edhe për tre muaj.

Në fund të mbledhjes janë aprovuar edhe Lista e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Kategorinë e Ulët dhe të Mesme Drejtuese, si dhe vendimi për pezullimin nga marrëdhënia e punës të një nëpunësi civil të kategorisë së lartë drejtuese. /GS



Read it all at Gazeta e Prizrenit